Aktuale
Udhëtim nëpër histori dhe natyrë: Përshtypjet e paharrueshme të një ekskursioni nëntorian në Shqipëri
Reklamë e Sponsorizuar
Ka udhëtime që njeriu i nis për të parë vende të reja, por që në fund i ruan në kujtesë si copëza të bukura të jetës. Një udhëtim i tillë ishte edhe shëtitja jonë e nëntorit nëpër disa qytete e fshatra të Shqipërisë, ku historia, natyra, mikpritja dhe kujtimet u ndërthurën në një rrëfim të vetëm.
Kishim kohë që e mendonim këtë udhëtim. Na kishte marrë malli të shkëputeshim nga përditshmëria, të përshkonim rrugë të reja e të ndaleshim në vende që i kishim njohur dikur vetëm përmes librave dhe rrëfimeve.
Ndalesën e parë e bëmë në Elbasan, qytetin e lashtë të Skampës, të shtrirë buzë Shkumbinit. Për mua ky qytet kishte një domethënie të veçantë. Që nga bankat e shkollës më shoqëronte emri i tij, sidomos historia e Normales së famshme, e hapur më 1 dhjetor 1909, asaj vatre të dijes që i dha arsimit shqiptar shumë mësues e personalitete të shquara! Më kujtohej edhe profesori i mi i nderuar, Anton Çetta, i cili kishte qenë nxënës i kësaj shkolle. Në mendje më vinin emrat e Kostandin Kristoforidhit, Dhimitër Shuteriqit, Aleks Budës, Mahir Domit, Dhaskal Thodrit e shumë figurave të tjera që i dhanë Elbasanit një vend të veçantë në historinë e kulturës shqiptare.
Nëpër rrugicat e Kalasë, mes mureve shekullore dhe shtëpive të vjetra, ndieja sikur po ecja nëpër një histori të gjallë. Kalldrëmet dukej sikur ruanin ende hapat e brezave të shkuar, bisedat e oborreve dhe jehonën e jetës së dikurshme. Aty njeriu kupton se koha i ndërron njerëzit, por jo gjithmonë arrin t’i fshijë gjurmët e tyre.
Elbasani na la përshtypjen e një qyteti të bukur, të pastër dhe mikpritës. Nuk lamë pa shijuar as tavën e famshme elbasanase, një kënaqësi e veçantë e tryezës tradicionale të kësaj treve.
Një ndalesë tjetër e këndshme ishte kompleksi „Rozafa“, në Fushë-Labinot, ku shkuam së bashku me dhëndrin Ibrahim Avdyli, bashkëshorten Fetaneti dhe motrën Sanija. Kompleksi na befasoi me rregullimin dhe bukurinë e hapësirës. Në tarracën e tij shijuam kafenë e mesditës, nën diellin e butë të nëntorit, ndërsa vëmendjen na e tërhoqën bustet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Adem Jasharit dhe Lekë Dukagjinit.
Edhe salla e filmit, me portretet e artistëve të njohur shqiptarë, na zgjoi kujtime të bukura rinore. Fytyrat e Sandër Prosit, Ndrekë Lucës, Naim Frashërit, Reshat Arbanës, Margarita Xhepës, Tinka Kurtit e të tjerëve na kthyen për një çast në vitet kur filmi shqiptar ishte pjesë e pandashme e mbrëmjeve tona familjare.
Kompleksi, i prezantuar si pronë e Gjergj Lucajt, djalit të aktorit të njohur Ndrekë Luca, na la përshtypjen e një hapësire ku arti, historia dhe mikpritja bashkëjetonin bukur.
Nga aty vazhduam drejt Treganit, ku natyra na shpalosi një pamje të mrekullueshme. Plantacionet e ullinjve, pemët me portokaj, limonë e mandarina dhe gjelbërimi përreth dëshmonin begatinë e tokës dhe punën e palodhshme të bujqve. Ishte një pamje që të mbushte shpirtin me kënaqësi dhe të kujtonte se sa shumë pasuri natyrore ka vendi ynë.
Rrugëtimi vazhdoi drejt Belshit, qytetit që buzëqesh në pasqyrën e liqenit. Shëtitorja, gjelbërimi dhe qetësia e ujit krijonin një peizazh të rrallë. Në sheshin e qytetit na pritën bustet e Sami Frashërit dhe të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, dy emra që mbajnë gjallë kujtesën dhe krenarinë tonë kombëtare.
Duke soditur liqenin, më dukej sikur koha kishte ngadalësuar hapin. Uji pasqyronte qiellin, pemët dhe qytetin, ndërsa ne shijonim atë qetësi që vetëm natyra di t’ia dhurojë njeriut. Kështu kaluan ditët tona të nëntorit, mes qyteteve dhe fshatrave shqiptare.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: