Politikë
Siguria dhe integrimi në BE: Nis konsultimi publik për Planin e Veprimit të Kufirit 2026-2027
Reklamë e Sponsorizuar
Ministria e Punëve të Brendshme ka çelur zyrtarisht fazën e konsultimit publik për Planin e Veprimit 2026-2027, i cili shërben si dokument kyç për zbatimin e Strategjisë Ndërsektoriale të Menaxhimit të Integruar të Kufirit 2021-2027. Të gjithë qytetarët, aktorët e shoqërisë civile dhe ekspertët e fushës ftohen të kontribuojnë me sugjerimet e tyre rreth ndikimit dhe zbatueshmërisë praktike të këtij dokumenti.
Sipas relacionit zyrtar të ministrisë, synimi kryesor i ekzekutivit shqiptar mbetet garantimi i lëvizjes së sigurt të qytetarëve dhe mallrave përgjatë kufijve shtetërorë, si dhe parandalimi e goditja e çdo forme të krimit ndërkufitar dhe migrimit të paligjshëm.
Projektakti përbën një hap të rëndësishëm në përmbushjen e detyrimeve që i paraqiten vendit në procesin e integrimit evropian, veçanërisht për përmbylljen e suksesshme të negociatave të Kapitullit 24, që flet për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë, ku menaxhimi i kufijve zë një vend thelbësor.
Për të përmbushur këtë mision, qeveria ka mbështetur planin e veprimit mbi tri shtylla kryesore politike: mbrojtjen e sigurisë kombëtare dhe kontrollin e flukseve migratore; lehtësimin e lëvizjes ligjore për njerëzit dhe mallrat; si dhe trajtimin e çdo individi me integritet, duke garantuar qasje në mbrojtje ndërkombëtare për personat në nevojë.
Për realizimin e këtyre qëllimeve, plani parashikon ndërhyrje konkrete, ku përfshihen modernizimi i sistemit të vëzhgimit të hapësirës detare, vendosja e radarëve të rinj, krijimi i Qendrës Kombëtare të Koordinimit, si dhe bashkëpunimi i ngushtë me Agjencinë Evropiane të Rojës Kufitare (FRONTEX) përmes operacioneve të përbashkëta.
Kostot financiare për këtë nismë gjatë periudhës dyvjeçare (2026-2027) llogariten në rreth 3.1 miliardë lekë, e barabartë me 32.4 milionë euro. Sipas të dhënave, 73% e buxhetit do të dedikohet për shpenzime korente, ndërsa 27% do të shkojë për investime kapitale në pajisje, teknologji dhe sisteme radarësh.
Nga ana e tij, Ministria e Financave ka konfirmuar se nuk ekziston asnjë rrezik për mungesë fondesh, pasi buxheti mbulohet plotësisht nga dy burime të sigurta: Programi Buxhetor Afatmesëm 2026-2028, që mbulon 75.3% të shumës totale (2,353,017,100 lekë), dhe fondet e huaja nga Bashkimi Evropaj dhe donatorë të tjerë, të cilat mbulojnë 24.7% të mbetur.
Palët e interesuara kanë në dispozicion një afat prej 20 ditësh pune, nga data 3 nëntor deri më 30 nëntor 2026, për të dorëzuar vërejtjet dhe komentet e tyre.
Dërgimi i propozimeve mund të bëhet në rrugë elektronike nëpërmjet platformës së Regjistrit Elektronik për Njoftimet dhe Konsultimet Publike (RENJK), ose përmes adresës së emailit të koordinatores pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Institucioni ka siguruar se të gjitha sugjerimet e ardhura do të analizohen me kujdes dhe se ministria do të publikojë një përmbledhje sqaruese për mënyrën se a janë reflektuar apo jo mendimet e dhëna nga publiku.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: