Politikë
Kërkesa për drejtësi për Arlinda Zekajn nuk ndalet: Protesta e shtatë radhazi në Prishtinë
Reklamë e Sponsorizuar
Për të shtatën natë radhazi, qytetarët janë mbledhur në sheshet e Prishtinës për të kërkuar drejtësi për Arlinda Zekajn. Protestuesit, të shoqëruar nga thirrje të fuqishme dhe vërshëllima, kanë marshuar drejt ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke shprehur pakënaqësinë e tyre të thellë për këtë rast tragjik.
Nën thirrjen “Gjumi s’ka me iu marrë, flaka ka me iu dalë”, pjesëmarrësit në protestë kanë artikuluar kërkesën për dorëheqjen apo shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
Kujtojmë se Arlinda Zekaj u privua nga jeta më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, akt ky i kryer nga ish-kunati i saj. Ngjarja ka tronditur opinionin publik, veçanërisht për faktin se viktima kishte paralajmëruar me shkrim institucionet e sigurisë për rrezikun që i kanosej, vetëm pak kohë pasi kishte raportuar ish-bashkëshortin e saj në polici për kërcënime.
Kjo vrasje ka shkaktuar një valë të madhe reagimesh dhe protestash në mbarë vendin, duke sjellë edhe lëvizje brenda strukturave shtetërore. Si pasojë e dështimeve në trajtimin e rastit, janë ndërmarrë masa disiplinore, përfshirë suspendimin e zyrtarëve policorë dhe prokurorëve, si dhe është raportuar për dorëheqjen e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: