Kronikë
Koalicioni VLEN kërkon hetimeurgjente: Prokuroria të zbardhë lidhjet financiare të familjes Ahmeti me “Alta Bankën”
Reklamë e Sponsorizuar
Koalicioni VLEN ka hedhur akuza të forta ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim, duke kërkuar nga organet e drejtësisë që të nisin menjëherë hetime për transaksionet e dyshimta financiare mes “Alta Bankës”, Sashi Mijallkovit dhe strukturave të BDI-së.
Sipas kësaj force politike, skena rajonale ka shënuar ndryshime të mëdha kohët e fundit, ku pas humbjes së Aleksandar Vuçiqit në zgjedhjet e Serbisë më 25 tetor, Banka Popullore e Serbisë i revokoi licencën “Alta Bankës”, institucion ky që lidhet ngushtë me bashkëpunëtorin e tij të afërt, Davor Macura.
Këto zhvillime, sipas VLEN-it, shërbejnë si një alarm për të rikthyer vëmendjen te dokumentet e publikuara më parë, të dëshmojnë lidhjet e ngushta mes rrethit të Vuçiqit dhe zyrtarëve të lartë të BDI-së në Maqedoninë e Veriut.
Në reagimin e tyre thuhet se megjithëse BDI sot mban fjalime kundër të ashtuquajturës “Botë serbe”, kronologjia e ngjarjeve hedh hije dyshimi mbi veprimet e saj të kaluara. Për shembull, depërtimi i kompanisë serbe “MTEL” në tregun vendas në korrik të vitit 2021 u bë ndërkohë që BDI ishte pjesë e Qeverisë, ndërsa Bujar Osmani mbante postin e ministrit të Punëve të Jashtme dhe kishte zhvilluar të paktën 11 takime me zyrtarë serbë, procesverbalet e të cilave mbeten ende të mbyllura për publikun.
Më tej, VLEN zbardh detaje të tjera: më 24 tetor 2024, kompania “AS Senjak”, e lidhur me krushkun e Ali Ahmetit, bleu aksione në “Stopanska Banka Bitola” nga një kompani tjetër e afërt me Sasho Mijallkovin. Më vonë, më 9 qershor 2025, kjo kompani ku “AS Senjak” është bashkëpronar siguroi një kredi prej 5 milionë eurosh nga “Alta Banka” në Beograd, ndërsa më 17 shtator të atij viti aksionet iu shitën po kësaj banke. Vetëm gjashtë ditë pas këtij veprimi, një komunë e drejtuar nga BDI i lëshoi “AS Senjakut” dy kontrata me vlerë totale 90 milionë denarësh.
Për VLEN-in, ky zinxhir transaksionesh kërkon përgjegjësi ligjore dhe nuk mund të kalojë pa u hetuar, pasi ndërlidh figura të larta politike, ish-pushtetarë dhe institucione financiare serbe.
Duke qenë se dokumentacioni përkatës është dorëzuar në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit qysh në shtator të vitit 2025, kurse Ali Ahmeti dhe BDI kanë zgjedhur heshtjen, koalicioni ka dalë me katër kërkesa konkrete.
Së pari, kërkohet që KSHPK dhe Prokuroria Publike të hetojnë në detaje lidhjet e “AS Senjakut” me Sasho Mijallkovin dhe “Alta Bankën”, përfshirë kredinë milionëshe dhe tenderët komunalë. Së dyti, institucionet e vendit duhet të kërkojnë të dhëna zyrtare nga autoritetet serbe lidhur me bashkëpunimin mes “Alta Bankës” dhe kompanive nga Maqedonia e Veriut.
Së treti, BDI-ja detyrohet të bëjë publike procesverbalet e takimeve të Bujar Osmanit dhe Ali Ahmetit me Vuçiqin dhe zyrtarët e tjerë serbë. Së katërti, vetë Ali Ahmeti ftohet të jep llogari publike dhe të sqarojë marrëdhëniet e biznesit të krushkut të tij, përfshirë blerjen e aksioneve dhe fondet e marra nga banka e huaj.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: