Kronikë
Skandali i “Alta Bankës”, BDI kërkon hetim urgjent nga prokuroria për rrezikimin e fondeve shtetërore
Reklamë e Sponsorizuar
Zhvillimet e fundit rreth “Alta Bankës” kanë sjellë në vëmendje shqetësime serioze që tejkalojnë kornizat e sfidave të një institucioni të vetëm financiar. Përmes një reagimi publik, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) thekson se bëhet fjalë për menaxhimin e fondeve shtetërore, mbrojtjen financiare të ndërmarrjeve publike dhe mundësinë e ndërthurjes mes vendimmarrjes politike dhe interesave bankare.
Vendimi i Bankës Popullore për të vendosur administrim të përkohshëm dhe për të kufizuar qasjen në mjete, ndërkohë që institucionet shtetërore po përballen me paqartësi për stabilitetin e tyre financiar, dëshmon nevojën urgjente për një proces hetimor të thelluar dhe institucional.
Në këtë kontekst, BDI ngre alarmin mbi vëllimin e parave publike që janë të depozituara në “Alta Banka” dhe mbi kriteret e ndjekura nga ndërmarrjet dhe institucionet shtetërore për të zgjedhur pikërisht këtë bankë për shërbimet e tyre.
Partia kërkon përgjigje se kush i ka iniciuar dhe miratuar këto vendime, si është matur rreziku financiar për fondet e taksapaguesve, dhe nëse përzgjedhja e këtij institucioni ka qenë frut i analizave të pavarura apo i ndikimeve të fshehura politike.
Gjithashtu, shtrohen pyetje kritike nëse janë marrë parasysh rreziqet e lidhura me strukturën e pronësisë së bankës, si dhe nëse janë anashkaluar paralajmërimet e mundshme paraprake. Këto dilema bëhen edhe më alarmante pas raporteve për procedurat ligjore ndaj pronarit të bankës amë në Serbi dhe dyshimet për shkelje financiare që po hetohen atje.
Për këtë arsye, BDI i bën thirrje Qeverisë dhe Ministrisë së Financave që të bëjnë publike një pasqyrë shteruese të çdo institucioni, ndërmarrjeje apo subjekti shtetëror që ka pasur fonde në “Alta Banka”, duke zbuluar shumat e sakta, periudhën e hapjes së llogarive, mbështetjen ligjore dhe zyrtarët përgjegjës.
Në të njëjtën linjë, Banka Popullore ftohet të sqarojë mekanizmat e mbikëqyrjes dhe kriteret e vlerësimit të rrezikut, posaçërisht në raport me ndryshimet në pronësi dhe ecurinë financiare të bankës amë.
Nga ana tjetër, BDI pret që Prokuroria Publike të nisë hetimet për të verifikuar nëse në drejtimin e parave publike ka pasur ndërhyrje të paligjshme, shpërdorim detyre, konflikt interesi apo shkelje të tjera penale.
"Çështja tashmë nuk është vetëm se çfarë do të ndodhë me Alta Bankën. Çështja është nëse shteti e di sa para publike janë ekspozuar ndaj rrezikut, si kanë përfunduar ato aty dhe kush e ka pasur për detyrë t’i mbrojë", përfundon reagimi i BDI-së.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: