Aktuale
Paketa e re fiskale sjell taksa për makinat elektrike dhe automjetet e huaja në Shqipëri
Reklamë e Sponsorizuar
Skema e re e taksimit të automjeteve pritet të përfshijë mbi 10 mijë mjete elektrike që qarkullojnë brenda vendit, ndërkohë që për herë të parë do të vendoset një tarifë e posaçme edhe për automjetet me targa të huaja që futen në territorin shqiptar. Këto ndryshime janë pjesë integrale e paketës së re fiskale, e cila parashikon heqjen e taksës së qarkullimit nga çmimi i karburantit dhe transferimin e saj tek detyrimet vjetore të mjeteve.
Sipas ndryshimeve të propozuara në projektligjin “Për taksat kombëtare”, për autoveturat elektrike, autobusët dhe kategoritë e ngjashme do të aplikohet një taksë vjetore fikse prej 15 mijë lekësh, kurse për motomjetet elektrike detyrimi do të jetë 1 mijë lekë në vit. Deri më tani, automjetet elektrike kanë qenë të përjashtuara nga ky detyrim vjetor, por burime zyrtare nga Ministria e Financave konfirmojnë se masa do të preqasë mbi 10 mijë mjete të kësaj kategorie.
Një tjetër risi e rëndësishme e kësaj nisme është vendosja e një takse qarkullimi për mjetet e huaja që hynë në Shqipëri, ide kjo e paralajmëruar më parë nga kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të masave të reja fiskale. Tarifa e re për automjetet e huaja do të llogaritet në bazë të kohëzgjatjes së qëndrimit të tyre brenda vendit. Të dhënat zyrtare tregojnë se gjatë 9-mujorit të parë të vitit në vend kanë hyrë rreth 2,6 milionë mjete të huaja.
“Do të heqim taksën e qarkullimit nga çmimi i naftës dhe do ta ulim automatikisht 32 lekë në pompë çmimin e naftës, ndërkohë që taksën do ta rikthejmë tek makina dhe do ta mbledhim përmes Drejtorisë përkatëse të Transportit Rrugor. Nga ana tjetër, do të vendosim një taksë të re qarkullimi, siç e ka gjithë Europa, për makinat e huaja që hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë”, deklaroi kryeministri Edi Rama.
Reforma fiskale do të sjellë ndryshime të ndjeshme edhe për kategoritë e tjera, përfshirë automjetet e përdorura dhe ato luksoze. Për mjetet e përdorura, taksat vjetore pritet të dyfishohen krahasuar me situatën aktuale. Për shembull, një automjet me naftë i vitit të prodhimit 2013 dhe me cilindratë 2,000 centimetra kub do të paguajë 18 mijë lekë në vit, nga 9 mijë lekë që paguan aktualisht.
Ndryshimet prekin gjithashtu segmentin e automjeteve luksoze, ku taksa vjetore propozohet të ngrihet nga 21 mijë në 40 mijë lekë, duke shënuar një rritje prej 19 mijë lekësh ose 90% më shumë se më parë. Kjo masë llogaritet se do t'i sigurojë buxhetit të shtetit rreth 430 milionë lekë të ardhura shtesë.
Nëpërmjet kësaj pakete, zhvendosja e taksës së qarkullimit prej 27 lekësh për litër nga karburantet te taksat vjetore të mjeteve pritet t'i rrisë të ardhurat nga taksat e automjeteve në 33,8 miliardë lekë, nga 26,6 miliardë lekë që janë aktualisht. Megjithatë, sipas relacionit të projektligjit, efekti neto i kësaj lëvizjeje përllogaritet me një ulje të të ardhurave prej 5 miliardë lekësh nga Ministria e Financave, ndërsa çmimi i karburanteve parashikohet të ulet me 32,3 lekë për litër.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: