Aktuale
Luis Enrique jep alarmin para duelit në Ligën e Kampionëve: Nuk fitojmë dot nëse nuk japim maksimumin
Reklamë e Sponsorizuar
Strategu i Paris Saint-Germainit, Luis Enrique, ka paralajmëruar se skuadrën e tij e pret një mision tejet i ndërlikuar në transfertë ndaj Villarrealit, duel ky i vlefshëm për xhiron e katërt të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve.
Gjatë konferencës për media para takimit që do të luhet të martën në stadiumin “La Cerámica”, kreu i shtabit teknik të parisienëve ka theksuar se tre pikët kërkojnë angazhim absolut nga çdo lojtar.
“Nëse nuk jemi në nivelin tonë maksimal, nesër nuk fitojmë”, u shpreh Luis Enrique, duke nënvizuar se statusi i favoritit apo statistikat e mëparshme nuk do të kenë asnjë peshë në fushën e blertë.
Tekniku spanjoll ka thurur elozhe për paraqitjet dhe potencialin e Villarrealit, duke sjellë në vëmendje ndeshjet e tyre të forta ndaj kundërshtarëve prestigjiozë si Borussia Dortmundi, Napoli dhe Liverpooli.
“Kanë një ekip të mirë dhe një trajner shumë të mirë. Nesër, që nga minuta e parë, do të tregojmë se jemi gati dhe kemi ambicien për ta fituar ndeshjen”, shtoi ai.
Në analizën e tij, trajneri i PSG-së vuri theksin te rreziku që paraqet kundërshtari, veçanërisht në aspektin e presionit të lartë dhe zotërimit të topit.
“Do të jetë e vështirë të dalim nga presioni i tyre. Më pëlqejnë sfida të tilla, prandaj duhet të jemi të vëmendshëm ndaj gjithçkaje për të bërë një ndeshje të mirë”, deklaroi ai.
Duke folur për homologun e tij te Villarreali, të cilin e njeh që nga periudha kur drejtonte Rayo Vallecanon, Enrique nuk i kurseu fjalët e mira.
“Është një trajner i ri dhe i përgatitur, me një ide loje që më pëlqen. Kur sheh një ekip që të përcjell gjëra pozitive, prapa tij qëndron një trajner i madh”, u shpreh ai.
Ai gjithashtu shprehu besimin se skuadra spanjolle ka nevojë për pak kohë që t'i asimilojë kërkesat e trajnerit të ri, duke i uruar suksese në të ardhmen.
“Nuk kam asnjë dyshim se Iñigo do të kalojë vite shumë të mira këtu”, u shpreh ai më tej.
Sa i përket arritjes së tij personale prej 127 fitoresh në krye të klubit francez, strategu spanjoll zgjodhi të mbetet me këmbë në tokë, duke mos e madhështuar këtë shifër.
“Kur humb, nuk je trajner i keq, as nuk je gjeni kur fiton dhjetë ndeshje radhazi”, u shpreh ai.
Këtë arritje, ai ia dedikoi frymës së grupit, mbështetjes institucionale dhe cilësisë së lartë të futbollistëve në dispozicion.
Në fund, Luis Enrique u tregua i kujdesshëm duke theksuar se starti pozitiv në këtë fazë nuk garanton një vend mes tetë skuadrave më të mira, duke marrë si shembull situatën e edicionit të kaluar.
“Vitin e kaluar bëmë të njëjtën gjë si këtë vit dhe nuk u kualifikuam në mesin e tetë skuadrave të para. Kjo është Liga e Kampionëve”, përfundoi trajneri i PSG-së.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: