Sport
Gjendja aktuale në Superligën e basketbollit: Sekretarja e FBK-së analizon ecurinë e skuadrave dhe flet për befasitë
Reklamë e Sponsorizuar
Sekretarja e përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Elvira Dushku, ka bërë një analizë të detajuar të ecurisë së ekipeve në elitën e basketbollit vendor, duke vënë theksin te organizimi shembullor i BORA-s, ngritja e Trepçës dhe paraqitjet premtuese të Bashkimit.
Gjatë një interviste në emisionin SportCast, Dushku është shprehur se paraqitjet e skuadrës së BORA-s nuk përbëjnë më ndonjë çudi, falë vazhdimësisë dhe strukturës solide të ndërtuar që nga sezoni i kaluar.
"Në fakt Borën më nuk duhet ta quajmë befasi. Bora është një ekip që është dëshmuar edhe në edicionin e kaluar dhe ka vazhduar në kontinuitet përgatitjet, duke treguar lojëra shumë të mira. Është ekipi i dytë i kryeqytetit, por me një organizim shumë të mirë e të mirfillt si në aspektin organizativ, ashtu edhe në atë profesional. Ata kanë dëshmuar se janë ekip që duhet respektuar shumë më tepër sesa në edicionin e kaluar", ka deklaruar Dushku.
Duke folur për kampionët në fuqi dhe klubet e tjera, ajo ka përmendur nisjen më të ngadaltë të Trepçës, e cila megjithatë po tregon sukses në arenën ndërkombëtare, ndërsa ka vlerësuar edhe paraqitjet e Bashkimit në Superligë dhe debutimin e tyre në një edicion të rregullt ndërkombëtar.
"Trepça në fillim e fillioi pak më ngadalë, gjë që është e pritshme për një ekip të tillë. Unë gjithmonë them se Trepça e fillon kështu edhe më pas fillon ta marrë veten. Është ekipi që ka shënuar disa fitore në garat ndërkombëtare, gjë që na gëzon shumë. Pastaj kemi Bashkimin, që po tregon lojëra shumë të mira në Superligë, ndërkaq në garat ndërkombëtare është hera e parë që po merr pjesë në një edicion të rregullt. Por edhe ekipet tjera si Peja, Rahoveci, Vëllaznimi e deri diku edhe Sigal Prishtina e edhe Ylli mos ta harroj janë duke treguar gradualisht ngritje të nivelit edhe secila prej tyre normalisht se kanë ambicie, dikush për të hyrë në playoff të madh dikush në playoff të vogël e dikush për ta fituar titullin e kupën. Ne tashmë ende nuk po dimë ta ndajmë tabelën sepse sapo ak filluar sezoni edhe të shohim në vazhdim se si do të shkojë", ka theksuar ajo.
Në fund, Dushku ka shtuar se Peja, Rahoveci, Vllaznimi, Sigal Prishtina dhe Golden Eagle Ylli po dëshmojnë rritje të vazhdueshme të lojës së tyre, secila me synimet përkatëse për këtë edicion, duke theksuar se është ende herët për të parashikuar pasqyrën e saktë të tabelës së renditjes për shkak se kampionati sapo ka hapur dyert.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: