Politikë
Vizita në burgun e Fierit, Ministri Gogu hedh poshtë spekulimet për takimin me Veliajn
Reklamë e Sponsorizuar
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka reaguar përmes një njoftimi publik në rrjetet sociale, duke hedhur poshtë zërat dhe aludimet e fundit se ka zhvilluar një takim me Erion Veliajn në IEVP Fier, gjatë të cilit kinse i ka kërkuar dorëheqjen nga mandati me porosi të Kryeministrit Edi Rama.
Gogu ka konfirmuar se e ka takuar kryebashkiakun e Tiranës në qelinë e paraburgimit të premten e kaluar, por ka sqaruar se fokusi i vetëm i bisedës ka qenë situata e tij ligjore, transferimi nga paraburgimi i Durrësit drejt atij të Fierit, si dhe kushtet e përgjithshme të trajtimit të tij.
Në reagimin e tij, ministri thekson: “Më vjen thellësisht keq për të pavërtetat që janë publikuar sot lidhur me vizitën time në IEVP Fier. Po, e kam takuar Erion Veliajn të premten. Në ushtrim të përgjegjësive të mia si Ministër i Drejtësisë, kam shkuar për t’u njohur me kushtet e trajtimit të tij dhe për të dëgjuar ankesat e shprehura publikisht nga avokati i tij.”
Duke iu referuar raporteve personale, ai shton se me Veliajn ndan një miqësi të vjetër, e cila është publike për të gjithë. Megjithatë, Gogu shprehet i habitur nga spekulimet e ngritura: “Nuk i gjej dot arsyet pse janë stisur ato të pavërteta dhe nuk dua ta besoj që i ka thënë apo shkruar Erioni. Kush më njeh e di se nuk ka asnjë shans, në këtë botë apo në tjetrën, që unë të shqiptoj “mesazhet” që më janë vënë në gojë. Jam vërtet i befasuar.”
Në përmbyllje të reagimit të tij, kreu i Drejtësisë nënvizon se prania e tij në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale erdhi si reagim ndaj zhurmës mediatike dhe shqetësimeve legjitime rreth të drejtave dhe lirive. Sipas tij, çdo detaj i kësaj vizite është i dokumentuar dhe lehtësisht i verifikueshëm, ndërsa koha do të nxjerrë në pah të vërtetën.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: