Politikë
Haziri ashpër ndaj ekzekutivit: Mosplotësimi i tri kushteve bllokoi anëtarësimin në KiE
Reklamë e Sponsorizuar
Deputeti i Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), njëherësh anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Lutfi Haziri, i ka drejtuar kritika të ashpra Qeverisë së Kosovës për shkak të dështimit në përmbushjen e tri kushteve thelbësore, të cilat vazhdojnë ta mbajnë të bllokuar rrugëtimin e vendit drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës (KiE).
Këto deklarata Haziri i bëri menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së këtij komisioni, ku anëtarët e tij zhvilluan një takim me ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph. Me këtë rast, ai vuri theksin te ndikimi i pazëvendësueshëm i shtetit gjerman në të gjitha proceset integruese të Kosovës.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse nga pesha rëndësia dhe roli i shtetit Gjerman, është lokomotiva e Evropës sot, i integrimeve evropiane. Për LDK nuk është vetëm aspiratë, është mision integrimi në BE dhe NATO, Gjermania ka një rol kritik. Në anën tjetër Këshilli i Evropës mbetet në tre kushte që Qeveria nuk i ka plotësuar ende dhe për herë të parë ka ndodhur që këshilli i ministrave nuk e miraton raportin e asamblesë parlamentare, kjo është e dhimbshme”, u shpreh Haziri.
Në një prononcim për zhvillimet e brendshme, ai u ndal te ngjarja e rëndë e vrasjes tragjike të Arlinda Zekajt, duke e vënë theksin te mungesa e trajtimit të duhur të përgjegjësisë institucionale.
Sipas zyrtarit të LDK-së, Policia e Kosovës – një institucion që gëzon besueshmëri dhe kredibilitet të lartë publik – po shërben si “kurban” për t'i mbuluar dështimet e politikës ditore.
Duke komentuar masat e ndërmarra së fundmi, siç janë suspendimet brenda strukturave policore dhe prokuroriale, Haziri theksoi se përgjegjësia tashmë adresohet drejtpërdrejt në nivelin qeveritar, ndërsa shtoi se dorëheqja mbetet gjithmonë akt i lartë i përgjegjësisë morale.
“Sa i përket zhvillimeve të brendshme, është jashtëzakonisht e dhimbshme ajo çka po ndodh. Përgjegjësia është e përshkallëzuar, sikurse është edhe veprimi politik. Tre drejtorë të policisë po marrin përgjegjësi publike dhe morale me e shpëtua politikën. Për dështimet e politikës sakrifikohet institucioni e cila është policia që ka kredibilitet dhe besueshmëri. Ata kanë bërë suspendime, prokuroria por përgjegjësia tashmë ka mbetur në kabinet qeveritar. Akti i dorëheqjes është moral”, përfundoi Haziri.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: