Kronikë
Zbulim historik në Spanjë: 10 ton kokainë të lidhura me grupe kriminale shqiptare kapen pas një gabimi fatal
Reklamë e Sponsorizuar
Forcat e sigurisë në Spanjë kanë arritur të sekuestrojnë një nga sasitë më të mëdha të lëndëve narkotike në historinë e shtetit iberik, duke vënë në sekuestro 10 ton kokainë të pastër.
Sasia rekord e drogës u zbulua brenda dy magazinave të vendosura në zonën industriale “El Labradorcico”, në qytetin bregdetar të Águilas. Sipas informacioneve paraprake të Gardës Civile, ky operacion logjistik dyshohet se drejtohej nga një organizatë kriminale me rrënjë shqiptare.
Ajo që e bën këtë zbulim të pazakontë është fakti se ngarkesa masive nuk u zbulua përmes hetimeve policore, por si pasojë e një pakujdesie njerëzore. Gjatë operimit me një pirun ngritës për zhvendosjen e paletave, një nga punonjësit rrëzoi gabimisht një prej tyre.
Nga goditja u shpërndanë pakot e kokainës, çka bëri që punëtori, i kapur nga paniku, të largohej me vrap nga vendi i ngjarjes, duke lënë provat hapur. Ky incident u dha alarmin autoriteteve, të cilat ndërhynë menjëherë. Gjatë kontrollit në magazinën e parë, efektivët e Gardës Civile zbuluan mbi 5 ton kokainë, të gatshme për tregtim. Pas sigurimit të urdhrit gjyqësor, kontrollet u shtrinë edhe në një kapanon të dytë aty pranë, i cili operonte fshehurazi pa asnjë identifikim apo emër kompanie në hyrje.
Brenda objektit të dytë u gjet pjesa tjetër e drogës, duke e çuar peshën totale në afërsisht 10 ton. Lënda narkotike e kapur llogaritet të ketë një vlerë tregtare që varion nga 130 deri në 145 milionë euro.
Grupi hetimor bën me dije se këto magazina në Águilas përdoreshin si qendra kryesore e shpërndarjes. Lënda narkotike mbërrinte nga Amerika Latine, magazinohej në këtë zonë dhe më pas shpërndahej me kamionë drejt tregjeve të Evropës Qendrore dhe Veriore.
Autoritetet spanjolle dyshojnë fuqimisht se pas kësaj skeme ndërkombëtare trafiku fshihet një rrjet i strukturuar i mafias shqiptare. Ndërkohë, zona industriale mbetet e bllokuar nga forca të shumta rendi, ndërsa hetuesit po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë dhe dokumentet e bizneseve fantazmë për të identifikuar dhe kapur drejtuesit e këtij rrjeti kriminal.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: