Sport
Prapaskenat e Hagës: A po zhvillohet një proces i drejtë dhe transparent në Dhomat e Specializuara?
Reklamë e Sponsorizuar
Që nga themelimi i Dhomave të Specializuara, në opinion nuk kanë reshtur diskutimet dhe pikëpyetjet mbi arsyet pse kjo gjykatë u vendos në Hagë, e pajisur me një staf ndërkombëtar, dhe jo brenda territorit të Kosovës.
Që në nisje vlen të theksohet se faktori ndërkombëtar, veçanërisht vendet që kontribuan në çlirimin dhe shtetndërtimin e Kosovës, dispononin të gjitha të dhënat e nevojshme përmes agjencive të tyre të zbulimit, përfshirë NATO-n, sipas të cilave Kosova e pasluftës është udhëhequr nga struktura të organizuara kriminale të maskuara pas petkut politik.
Ngjashëm me praktikat në vende të ndryshme të botës, faktori ndërkombëtar, e në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për hir të sigurisë dhe stabilitetit rajonal, shpesh preferojnë që këto elita të korruptuara dhe të lidhura me krimin e organizuar të mbeten në pushtet. Kjo ndodh pasi, përmes mekanizmave të shantazhit dhe dosjeve inkriminuese, ato bëhen të dëgjueshme, të nënshtruara dhe ekzekutuese të urdhërave, duke e mbajtur situatën nën kontroll derisa të mos kenë më dobi.
Këto formacione parapolitike, që sot renditen në opozitë, kanë kontrolluar institucionet kyçe shtetërore në Kosovë, duke përfshirë policinë, prokurorinë dhe gjyqësorin, të cilat vetë ato, përmes grupit të njohur si mafia 'Pronto', i kishin vendosur në ato pozita për të mbrojtur krimet dhe korrupsionin e tyre. Meqenëse Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja nuk kishin besim te drejtësia vendase, duke e konsideruar të kapur dhe të degraduar, ato insistuan në ngritjen e Dhomave të Specializuara në Hagë me prokurorë dhe gjyqtarë ndërkombëtarë, me synimin për të ruajtur integritetin e procesit, sigurinë dhe identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur, si dhe për të garantuar një gjykim kredibil e të paanshëm.
Përfaqësues të koalicionit PAN, OVL-UÇK-ja, avokatë të ndryshëm dhe media të caktuara nëpër studio televizive e kanë kritikuar vazhdimisht këtë gjykatë si të padrejtë dhe jotransparente. Megjithatë, shtrohet pyetja nëse këto kritika janë të bazuara. Vlerësimi im është se ato janë të ekzagjeruara dhe tendencioze, me qëllim parësor denigrimin e procesit gjyqësor dhe punës së gjyqtarëve, për të arsyetuar apriori pafajësinë e të akuzuarve. Është parim juridik që gjykimet duhet të jenë të hapura për publikun, por nga ana tjetër, me kërkesë të palës mbrojtëse, prokurorisë apo gjykatës, ato mund të mbyllen kur kjo kërkohet nga natyra e çështjes, për të parandaluar rrjedhjen e informacioneve të klasifikuara, për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe për ruajtjen e besueshmërisë së procesit.
Megjithatë, çështja e transparencës dhe drejtësisë nuk përfundon me kaq, pasi ajo garantohet nga vetë hierarkia dhe subordinimi brenda sistemit të drejtësisë. Procedura penale nis në shkallë të parë, për të kaluar më pas në Gjykatën e Apelit, Gjykatën Supreme dhe në fund në Gjykatën Kushtetuese të Dhomave të Specializuara. Pikërisht kjo shkallëzim dhe strukturë e gjykatave siguron transparencë dhe drejtësi, sepse në rast të ndonjë mangësie apo padrejtësie në shkallën e parë, shkallët më të larta të gjyqësorit ndërhyjnë për të korrigjuar dhe mbrojtur të drejtat e palëve.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: