Aktuale
Nga katedrat fetare te puna në ndërtim në Gjermani: Reagimi i ashpër i imamit ndaj Drilon Gashit
Reklamë e Sponsorizuar
Imami nga Maqedonia e Veriut, Sedullah Bajrami, i ka adresuar një mesazh publik kolegut të tij kosovar, Drilon Gashi, pasi ky i fundit bëri të ditur se është shpërngulur në Gjermani për një jetë më të mirë.
Bajrami, i njohur për qëndrimet e tij konservatore, e ka ftuar Gashin që të reflektojë dhe të korrigjojë pikëpamjet e tij të kaluara, duke shfrytëzuar rrjetin social Facebook për të ndarë këshillat e tij.
Në mesazhin drejtuar Gashit, Bajrami u shpreh se e kupton sfidën e gjetjes së një mundësie të ndershme në vendlindje dhe e vlerësoi punën e ndershme në kantieret e ndërtimit, të njohura si “baushtellë”. Megjithatë, ai theksoi se shqetësimi kryesor mbetet përgjegjësia e fjalës publike, duke kujtuar se Gashi ka studiuar në Medinë dhe se ndikimi i ekranit e shumëfishon peshën e qëndrimeve të shprehura ndaj fesë.
Imami nga Maqedonia e Veriut e këshilloi Gashin që të rishqyrtojë lidhjet e tij dhe qëndrimet ndaj figurave të hershme islame, duke theksuar se dashuria për familjen e Profetit nuk duhet të përdoret për të përbuzur sahabët, para të cilëve u shpall kënaqësia hyjnore.
Drilon Gashi, i cili në të kaluarën ka shërbyer edhe si këshilltar i ish-kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, bëri bujë kur njoftoi përmes një shkrimi se ka lënë Kosovën për të punuar në një kantier ndërtimi në Gjermani, për shkak të mungesës totale të perspektivës në vend.
Në rrëfimin e tij, 39-vjeçari tregoi se pavarësisht rreth 25 viteve të kaluara në studime të teologjisë, filozofisë dhe psikoterapisë, sot detyrohet të vendosë pllaka dhe të mbajë kova në Gjermani, pasi në Kosovë nuk gjeti mbështetje apo siguri ekzistenciale.
Ai theksoi se nuk ka turp nga puna e ndershme, por se është dërrmuar nga dështimet e njëpasnjëshme pas aplikimit në rreth 60 vende pune, premtimeve të pambajtura dhe kushteve të rënda të punës me pagë të ulët. Gashi shtoi se pavarësisht përgjegjësisë së tij personale, presioni i detyrimeve familjare me katër fëmijë dhe kredive bankare e detyruan të marrë këtë rrugë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: