Kronikë
Rasti i vrasjes së Arlinda Zekajt: Albulena Haxhiu bën thirrje për bashkëpunim me komisionin hetimor
Reklamë e Sponsorizuar
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kërkuar nga të gjithë zyrtarët e ftuar si dëshmitarë që t'i përgjigjen pozitivisht thirrjeve të komisionit hetimor të ngritur për vrasjen e Arlinda Zekajt. Këtë deklaratë ajo e bëri pas mbledhjes së Kryesisë, në kohën kur ky komision po mbante mbledhjen e tij inauguruese, duke rikonfirmuar mbështetjen e saj të plotë institucionale për këtë proces.
Gjatë fjalës së saj, Haxhiu theksoi rëndësinë e zbardhjes së plotë të rrethanave të kësaj tragjedie, ndërsa shprehu shqetësimin e saj për mungesën e masave nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës. “Komisioni hetimor po mban takimin e tij të parë për të vlerësuar, trajtuar për hetime nën të gjitha procedurat për rastin e vrasjes tragjike të Arlinda Zekajt. Si kryetare e Kuvendit, do të jem në dispozicion të plotë për të trajtuar kërkesat që komisioni hetimor ka. Unë pres të gjithë zyrtarët që do të jenë në listën e dëshmitarëve të këtij komisioni, që të vijnë dhe t’i përgjigjen kërkesave të komisionit hetimor. Padyshim që Prokuroria do të duhej të merrej me hetimin në këtë rast, përkatësisht që Prokuroria Speciale të jetë e angazhuar për të bërë hetimin në raport me veprimet e mosveprimet. Komisioni hetimor është një mekanizëm shtesë që do të përpiloj në fund një dokument dhe ta drejtoj në Prokurorinë përgjegjëse”, u shpreh ajo.
Veç institucioneve të drejtësisë, Haxhiu vuri në shënjestër edhe nivelin lokal, duke kritikuar ashpër mosveprimin e kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, dhe drejtorisë përkatëse për mirëqenie, pasi sipas saj nuk është dorëzuar asnjë raport mbi masat e ndërmarra ndaj zyrtarëve përgjegjës.
“Secili institucion ka përgjegjësitë e veta, unë vlerësoj faktin që tani janë suspenduar kryeprokurorja e Pejës dhe zëvendësja e saj, që 11 policë janë suspenduar. Mbetem në shqetësim sepse Këshilli Gjyqësor i Kosovës ende nuk ka vepruar dhe as komuna e Pejës. As kryetari i komunës, as drejtoria përkatëse për mirëqenie që ka në monitorim QPS-në nuk ka dërguar raport me ndërmarrjen e masave ndaj zyrtarëve përgjegjës”, deklaroi Haxhiu.
Në të njëjtën ditë, u konstituua zyrtarisht komisioni hetimor parlamentar, ku kryetari i tij, Burim Ramadani, bëri të ditur se puna do të zhvillohet në tri faza kryesore: mbledhja e provave, vlerësimi i hetimeve dhe përpilimi i raportit përfundimtar.
Vrasja e rëndë e Arlinda Zekajt ndodhi më 25 tetor në fshatin Vitomiricë të Pejës, ku ajo u vra nga kunati i saj. Deri më tani, ngjarja ka pasur disa zhvillime institucionale, ku 11 zyrtarë policorë dhe dy prokurore të Pejës janë suspenduar, ndërsa drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka paraqitur dorëheqjen e tij.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: