Kronikë
LSDM: Po shpërbëhet karteli rajonal, Hristijan Mickoski mbetet i izoluar
Reklamë e Sponsorizuar
Përmes një komunikate për media, Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) ka deklaruar se ndërkohë që Mali i Zi ka nisur hetimet për të zbardhur lidhjet mes mediave, telekomunikacionit dhe Alta Bank, në vendin tonë këto lidhje tashmë janë të provuara dhe të dokumentuara prej kohësh.
Sipas partisë opozitare, OBRM-PDUKM ka lidhje të drejtpërdrejta me sektorin e mediave, atë të telekomunikacionit dhe sistemin bankar.
"Viktor Orban kontrollon afërsisht 40 për qind të tregut mediatik. Në këtë hapësirë janë futur edhe platformat e reja mediatike të Aleksandar Vuçiçit, siç janë Alo Grupa, Informer dhe Euronews. Ndihma në fushën e telekomunikacionit sigurohet nga kompania 4iG e Orbanit dhe Telekom Srbija e Vuçiçit, e cila funksionon si burim shtetëror i keqpërdorur për interesa private", thuhet në reagimin e LSDM-së.
Në vijim, kjo parti thekson se Alta Bank luan rolin e financuesit të këtij sistemi, përmes agjencive të marketingut të lidhura me OBRM-PDUKM, të cilat orientojnë fondet kryesisht drejt TV Alfa dhe portaleve të mbështetura nga Orban. Si rast konkret përmendet hetimi për pastrim parash përmes Sllovenisë, i realizuar me shërbime fiktive reklamimi, për të cilin pretendohet se u bllokua nga Hristijan Mickoski përmes ndikimit në Prokurori.
LSDM shton se Telekom Srbija zotëron licencën e Euronews, ndërsa 4iG jep mbështetje teknike për shpërndarjen e përmbajtjes mediatike. Sipas tyre, drejtimi i këtyre mediave bëhet nënnën diktatin e strukturave të sigurisë, duke përmendur zyrtarin e BIA-s për Maqedoninë, si dhe drejtuesit e mediave Latas dhe Ivona, redaktore në Euronews dhe TV Alfa, që përfaqësojnë modelin maqedonas të Informer-it serb.
Partia në pushtet më parë, tani opozitare, pretendon gjithashtu se kompanitë 4iG dhe Telekom Srbija financohen nga të njëjtat kompani lobimi në Shtetet e Bashkuara si për Mickoskin, ashtu edhe për Vuçiçin. Ajo shton se 4iG lidhet si me tregtinë e armëve, ashtu edhe me interesat rreth një miniere antimoni, ndërkohë që në Hungari tashmë janë arrestuar tre ministra dhe rrethi rreth Orbanit po ngushtohet.
"Edhe në Serbi pushteti i Vuçiçit po tronditet; kanë nisur arrestimet dhe hetimet e para, ndërsa sistemi drejtësie ka filluar të funksionojë edhe pa u formuar ende qeveria e re. Janë vënë në pranga njerëz kyç të policisë. Kjo shënon vetëm fillimin e fundit të një strukture të madhe të krimit të organizuar, e njohur si karteli ballkanik. Bëhet fjalë për një sindikatë mafioze ku bën pjesë Hristijan Mickoski, ndërsa OBRM-PDUKM mbetet parti motër e SNS-së", përfundojnë nga LSDM.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: