Politikë
Çështja e presidentit, LDK shpreh gatishmërinë për bashkëpunim institucional dhe shmangie të zgjedhjeve
Reklamë e Sponsorizuar
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) shprehet e hapur për të dhënë kontributin e saj në procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit, duke kërkuar njëkohësisht bashkërendim politik për t'i hapur rrugë stabilitetit institucional.
Kështu ka deklaruar shefja e Grupit Parlamentar të kësaj partie, Jehona Lushaku, pas përfundimit të seancës plenare në Kuvendin e Kosovës, ku u miratua Deklarata lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale. Sipas saj, tashmë janë zhvilluar takime mes kryetarëve të subjekteve politike me qëllim harmonizimin e hapave të ardhshëm shtetërorë.
Lushaku ka theksuar se shmangia e zgjedhjeve të reja kërkon gatishmëri dhe vullnet nga i gjithë spektrit politik, duke nënvizuar se LDK e vetme nuk mund ta bëjë zgjedhjen e kreut të shtetit, por mbetet e përkushtuar për të ndërtuar institucione funksionale.
"Takimet kanë ndodhur në mes të gjithë liderëve, kjo është me qëllim që të koordinohemi si shtet për veprimet e ardhshme, ka shumë procese të rëndësishme që pritet të ndodhin edhe puna e presidentit, por ishte edhe koordinimi sa i përket kësaj deklarate. Të kemi sa më parë zgjidhje për secilin problem. Ne si parti kemi thënë që është e rëndësishme që të shmangim zgjedhjet, por kjo kërkon vullnetin e të gjitha partive politike, ne vetëm nuk mundemi me i dhënë president Kosovës, por jemi të gatshëm që të japim kontribut për themelimin e këtyre institucioneve. Ne nuk jemi në një situatë ku mund të themi jemi për ose kundër", u shpreh ajo.
Në fjalën e saj, deputetja e LDK-së u ndal edhe te miratimi i deklaratës së propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), duke konfirmuar mbështetjen e plotë të partisë së saj për çdo vendim parlamentar që lidhet me mbrojtjen e figurave të UÇK-së që po përballen me drejtësinë në Hagë.
Duke vlerësuar lart sakrificën e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ajo përfundoi se institucionet kanë për detyrë morale dhe shtetërore të nderojnë të kaluarën e lavdishme dhe të garantojnë funksionimin e drejtësisë për të gjithë.
"Jemi të vetëdijshëm plotësisht që kemi përgjegjësi edhe institucionale që ta vlerësojmë e lartësojmë kontributin e djemve e vajzave tona në kuadër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për çlirimin e Kosovës, për lirinë që e gëzojmë ne sot, prandaj ua kemi borxh që ta mbështesim dhe ta lartësojmë luftën tonë çlirimtare. Dëshirojmë të kontribuojmë që Kosova të jetë shtet i pavarur dhe në liri dhe të funksionojnë institucionet e saj të pavarura për sigurimin e drejtësisë për të gjithë qytetarët", u shpreh Lushaku.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: