Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Ekonomi

Mungesa e reformave në afat kushton miliona: Kosova humb 43.8 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së

Redaksia Lajmetereja • 02-11-2026 09:41
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Mungesa e reformave në afat kushton miliona: Kosova humb 43.8 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së
Kosova ka regjistruar një humbje prej 43.8 milionë eurosh nga fondet e Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian, si pasojë e mosrealizimit të gjashtë hapa kryesorë reformues brenda afatit të përcaktuar deri në qershor të vitit 2026. Ky zhvillim u bë i ditur nga Jeton Zulfaj, kryenegociator i Kosovës me BE-së dhe koordinator kombëtar për këtë plan, gjatë raportimit të tij para Komisionit për Integrim Evropian. Gjatë fjalës së tij, Zulfaj theksoi se vendi ka përpara një sfidë tjetër urgjente, pasi duhet të përmbushë edhe 22 hapa të tjerë reformues me vlerë totale prej 131.5 milionë eurosh, afati i fundit i të cilëve skadon më 31 dhjetor të këtij viti. Ai sqaroi se Plani i Rritjes për Kosovën arrin shifrën e përgjithshme prej 882.6 milionë eurosh, ku dy e treta e kësaj shume përbëhet nga kredi, ndërsa zbatimi i plotë i tij varet nga përmbushja e 111 hapave deri në fund të gushtit të vitit të ardhshëm. Sipas koordinatorit kombëtar, nga gjithsej 13 hapa që kishin përfituar nga afati shtesë deri në qershor të vitit 2026, janë kurorëzuar me sukses vetëm shtatë prej tyre, ndërsa gjashtë të tjerë mbetën të parealizuar. “Më 15 korrik të këtij viti, kemi dorëzuar kërkesën e parë për pagesë, me 20 hapa të zbatuar, në vlerë prej 153.4 milionë euro. Shuma përfundimtare do të varet nga vresësimi i Bashkimit Evropian dhe besojmë se në ditët e para të nëntorit do të bëhet i ditur vlerësimi i saktë”, u shpreh Zulfaj. Ai bëri me dijen se pengesa kryesore për mospërmbushjen e këtyre reformave në kohë ka qenë nevoja për miratimin e projektligjeve në Kuvend gjatë një periudhe kur ky institucion ka qenë i shpërndarë. Mes akteve që nuk kaluan brenda afateve janë përfshirë Ligji për Energjinë, Ligji për Falimentimin, pakoja ligjore për drejtësinë, si dhe Strategjia kundër Krimit të Organizuar. Pavarësisht humbjes së mjeteve financiare të lidhura me ato afate, Zulfaj garantoi se procesi i reformave nuk do të ndalet. Të gjitha nismat e mbetura janë kthyer tashmë në procedurë në qeveri dhe Kuvend për t'u miratuar gjatë këtij viti. Ai shtoi se tani kanë mbetur vetëm 59 ditë dhe 10 akte që duhet të kalojnë në Kuvend, duke përfshirë projektligjin për inovacion dhe ndërmarrësi që tashmë është dorëzuar, ndërkohë që çdo hap i ri po kalon përmes konsultimeve të detyrueshme edhe me Komisionin Evropian.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar