Aktuale
Gjyqi për krime lufte në Kosovë: Katër nga të pandehurit serbë raportohet se kanë ndërruar jetë
Reklamë e Sponsorizuar
Katër nga 21 personat e akuzuar për dëbimin me dhunë të mbi 800 mijë civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë periudhës së luftës 1998-1999, dyshohet se nuk janë më jetë. Megjithatë, ky fakt ende nuk është konfirmuar përmes ndonjë dokumenti zyrtar për mbarëvajtjen e procesit të gjykimit në mungesë.
Këto detaje u bënë të ditura gjatë seancës fillestare nga prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Atdhe Dema, i cili nuk dha emrat e konkretë të të pandehurve, ndërsa konfirmoi se dosja hetimore ndaj tyre u përmbyll pas një angazhimi trevjeçar.
"Prokuroria Speciale, pas tre vjet hetimesh, ka dorëzuar në gjykatë lëndën për shqyrtim gjyqësor në mungesë. Për katër prej tyre figuron se kanë ndërruar jetë, por deri më sot nuk kemi pranuar asnjë dokument zyrtar nga institucionet kompetente," u shpreh Dema.
Në këtë proces gjyqësor që po zhvillohet në mungesë, 20 avokatë të caktuar sipas detyrës zyrtare u pajtuan me vazhdimin e seancës, me përjashtim të avokatit Shkumbin Asllani, i cili kërkoi konfirmimin e njoftimit zyrtar për klientin e tij.
"Përtej veprimeve të prokurorisë lidhur me sigurinë e të pandehurve, kam nevojë të verifikoj nëse janë përmbushur plotësisht kushtet e nenit 303, respektivisht detyrimet për njoftimin efektiv të të mbrojturit tim për këtë shqyrtim gjyqësor," theksoi Asllani.
Në anën tjetër, kryetarja e trupit gjykues, Medie Bytyqi, bëri të ditur se gjykata ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme ligjore për të siguruar praninë e të akuzuarve, por pamundësia e arritjes së këtij qëllimi ka çuar në vendimin për të proceduar me gjykimin në mungesë, pasi janë plotësuar të gjitha kushtet e parapara.
"Gjykata u ka bërë thirrje të akuzuarve që të dorëzohen. Deri në këtë moment, nuk kemi asnjë informacion nga policia për vendndodhjen e tyre. Gjykata merr parasysh se bëhet fjalë për vepra penale të krimeve të luftës," deklaroi gjyqtarja Bytyqi.
Ndërkohë, për shkak të vonesës njëorëshe në nisje të seancës, trupi gjykues ka ndëshkuar me një gjobë prej 1 mijë eurosh avokatjen Albana Zogiani.
"Gjykata, në përputhje me dispozitat e kodit penal, merr këtë aktvendim dhe i shqipton gjobë prej 1000 eurosh avokates Albana Zogiani për vonesë në seancë, pavarësisht se ajo ishte njoftuar se seanca do të fillonte në orën 09:30, ndërsa është paraqitur në orën 10:30," u shpreh ajo.
21 të pandehurit e akuzuar nga Prokuroria Speciale ngarkohen me përgjegjësi penale se gjatë muajve janar-qershor të vitit 1999, në kuadër të konfliktit të armatosur në Kosovë, kanë ushtruar autoritet dhe kontroll efektiv mbi forcat që vepronin nën varësinë e tyre.
Sipas aktakuzës, ata kanë qenë në dijeni të plotë – bazuar në raportet operative, komunikimet e brendshme dhe praninë në terren – se forcat nën komandën e tyre po kryenin shkatërrime pronash, djegie shtëpish e objektesh të infrastrukturës civile, si dhe përndjekje, ndalime arbitrare në baza etnike dhe sulme të armatosura ndaj vendbanimeve civile shqiptare, me qëllim final zhvendosjen me dhunë të popullsisë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: