Kronikë
PDK kërkon veprime urgjente pas miratimit të deklaratës për Gjykatën Speciale: Radhën e kanë ndryshimet ligjore
Reklamë e Sponsorizuar
Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur mirënjohjen e saj për Kuvendin pas miratimit të deklaratës lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Subjekti më i madh opozitar ka falënderuar të gjitha subjektet politike në parlament për mbështetjen dhe angazhimin në përafrimin e tekstit të kësaj deklarate, e cila ishte iniciuar nga grupi i tyre parlamentar.
“Sot, Kuvendi shprehu qëndrimin e tij për mbrojtjen e së vërtetës së luftës çlirimtare dhe kundërshtimin e aktgjykimit që e vlerëson të padrejtë. Ky është një hap i rëndësishëm i vullnetit të përbashkët politik. Tani ai vullnet duhet të kthehet në veprim konkret”, thuhet në njoftimin zyrtar të partisë.
Në vijim të këtij qëndrimi, PDK ka bërë të qartë se hapi i radhës duhet të jetë shqyrtimi dhe miratimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, nismë kjo që mban firmën e tyre.
“Kërkojmë nga Qeveria që ta procedojë pa vonesë në Kuvend dhe nga të gjitha grupet parlamentare që ta trajtojnë e votojnë me urgjencë”, vijon deklarata e partisë.
Në fund, nga PDK theksojnë se ndonëse deklarata paraqet pozicionin zyrtar të Kuvendit, votimi i ligjit mbetet veprimi vendimtar për t'i dhënë përgjigje institucionale sfidave të ngritura, ndërsa riafirmuan angazhimin e tyre të palëkundur për mbrojtjen e pastërtisë së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sigurimin e një procesi të drejtë për ish-krerët e saj.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: