Digjet vetura e një të burgosuri në Vushtrri – dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme
Publikuar më: 20-04-2025 16:21
Një rast i dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në rrugën nacionale Vushtrri–Mitrovicë, afër lokalit “Binjakët”, ku është djegur një veturë me vlerë të konsiderueshme, raporton Gazeta Sinjali.
Ngjarja është regjistruar mbrëmjen e kaluar, kur një Audi A3 është përfshirë nga flakët. Vlera e veturës vlerësohet të jetë afro 15 mijë euro.
Sipas informacioneve ekskluzive të Gazetë Sinjali, vetura dyshohet se është në pronësi të një të burgosuri, i cili aktualisht ndodhet në vuajtje të dënimit në burgun e Smrekonicës.
Pas marrjes së informatës, njësitë e zjarrfikësve kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë lokalizuar zjarrin, ndërkohë që edhe njësia e hetimeve ka nisur ekzaminimin e rastit.
Pas konsultimit me prokurorin kujdestar, rasti është cilësuar si “Zjarrvënie” dhe është proceduar për hetim të mëtejmë.
Gazeta Sinjali do të vazhdojë të sjellë informata të reja për këtë rast që ka ngritur dyshime serioze mbi motivin dhe qëllimin e zjarrvënies.
/GazetaSinjali/