Sport
Demirovic shkëlqen me dy gola, Stuttgarti i jep fund serisë së Leverkusenit në transfertë
Reklamë e Sponsorizuar
Stuttgarti ka regjistruar një triumf mbresëlënës në udhëtim te Bayer Leverkuseni, duke e mposhtur me shifrat 4:2 në kuadër të xhiros së tetë të elitës së futbollit gjerman, Bundesliga. Sulmuesi Ermedin Demirovic u shndërrua në figurën kryesore të takimit, duke treguar një paraqitje fantastike dhe duke tundur dy herë rrjetën.
Falë këtij rezultati, skuadra e Stuttgartit i ka shaktuar kampionëve në fuqi humbjen e parë para tifozëve të tyre këtë edicion, duke u ngritur njëkohësisht në zonën e qetë të renditjes tabelore.
Formacioni udhëtues e nisi sfidën me ritëm të lartë dhe zhbllokoi shifrat qysh në minutën e 14-të. El Khannouss provoi fillimisht, por portieri Flekken priti gjuajtjen e tij, ndërsa në topin e kthyer reaguesi më i mirë ishte Ermedin Demirovic, i cili e dërgoi saktësisht në rrjetë.
Vetëm tetë minuta më vonë, epërsia e mysafirëve u dyfishua. Ishte Leweling që finalizoi me sukses një aksion të rrjedhshëm kolektiv, duke e kaluar topin vijën fatale të portës.
Reagimi i Leverkusenit erdhi në minutën e 29-të përmes sulmuesit Patrik Schick, i cili shënoi bukur me kokë pas një harkimi nga goditja e këndit, duke ngushtuar epërsinë në 1:2.
Vendasit u hodhën në sulm për të barazuar shifrat dhe rrezikuan në minutën e 34-të me Maza-n, gjuajtja e të cilit u ndal nga traversa. Megjithatë, edhe Stuttgarti iu afrua golit të tretë para fundit të pjesës së parë, kur po ashtu u ndal nga traversa përmes Leweling në minutën e 44-të.
Pjesa e dytë solli raste shënimi në të dy portat, por efikasiteti mbeti në anën e skuadrës udhëtuese që shfrytëzoi më së miri mundësitë e krijuara.
Në minutën e 51-të, El Khannouss kurorëzoi paraqitjen e tij të mirë me një eurogol nga distanca, duke çuar rezultatin në 1:3. Pavarësisht përpjekjeve të vendasve për t'u kthyer në lojë, goditja përfundimtare erdhi në minutën e 65-të. Pas një asistimi prej artit nga Deniz Undav, Ermedin Demirovic realizoi golin e dytë personal dhe të katërtin për skuadrën e tij.
Leverkuseni reagoi sërish në minutën e 79-të me anë të Maza-s, i cili shënoi me kokë për të vulosur rezultatin përfundimtar të ndeshjes në 2:4.
Me këto tri pikë të arkëtuara nga kjo transfertë e vështirë, Stuttgarti konfirmon ngritjen e formës, ndërsa Demirovic dëshmon se mbetet një nga armët kryesore të skuadrës. Të dyja ekipet tani do të kthejnë fokusin te sfidat e ardhshme në arenën evropiane gjatë javës që vjen.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: