Aktuale
Drama e nëntë familjeve në Mitrovicë: Ndërtuan shtëpitë pas luftës, tani rrezikojnë dëbimin nga Infrakos
Reklamë e Sponsorizuar
Për më shumë se dy dekada, nëntë familje të shpërngulura nga veriu i Mitrovicës janë përfshirë në një betejë ligjore me ndërmarrjen Infrakos Sh.A., pasi kjo e fundit u ka kërkuar lirimin e tokës ku ata ngritën banesat e tyre pas përfundimit të luftës, në Zonën Industriale të jugut të qytetit. Banorët shpjegojnë se u detyruan të strehoheshin në këtë vend pasi humbën pronat e tyre në veri dhe se për një kohë të gjatë askush nuk ua pat kontestuar qëndrimin, deri në momentin kur u përballën me ultimatumin e Infrakos gjatë vitit 2024.
Agim Boletini, një prej banorëve të prekur, tregon se familjet u gjendën në këtë situatë nga halli dhe jo nga dëshira, teksa kërkon që çështja e pronësisë të marrë epilog përmes rrugëve gjyqësore. Duke sqaruar detajet rreth tokës, ai thekson se bëhet fjalë për parcelën me numër 02688-4, ku ndodhen shtëpitë e tyre dhe për të cilën pretendon se ndërmarrja nuk posedon dokumentacion pronësie.
„Ne jemi vendosur këtu menjëherë pas luftës, prej vitit 2000 deri në vitin 2003. Këtu i kemi vendosur shtëpitë. Ne këtu jemi krejt të pjesës veriore. Shtëpitë në veri i kemi, dikush banesat e uzurpuara i ka pasur, unë e kam hala pronën e shkatërrume, të kalltë, edhe jemi vendosur këtu sepse nuk kemi pasur ku me shku, jemi vendosur në këtë parcelë këtu. Për 25 vite, ne askush nuk na ka bërë problem kurgjo, se kur i kemi ndërtuar shtëpitë këtu e kemi pyetur Komunën e Mitrovicës. Komuna ka thënë: ‘Ne me ju ndihmu nuk mundemi, por ju duhet me u gjend vetë, mundësi vetë nuk kemi me ju ndihmu’. Edhe ne kemi ardhur këtu, i kemi ndertu shtëpitë. Kjo parcela këtu është 02688-4, prej këtu deri ku janë shtëpitë tona, ku po pretendon Infrakos që është e tyre, por ata fletë poseduese nuk kanë”, ka deklaruar Boletini.
Sipas tij, banorët kanë mbetur refugjatë në qytetin e tyre për afro 27 vjet, ndërsa në dhjetor të vitit 2024, Infrakos u kishte dërguar kërkesë me afat prej 14 ditësh për të liruar hapësirën. Ai shton se banorët kishin aplikuar për legalizim në vitin 2023, duke respektuar afatet qeveritare, mirëpo ndërmarrja ishte paraqitur më vonë me dokumente të paqarta, duke çuar në nisjen e një procesi gjyqësor.
Duke vazhduar rrëfimin e tij, Boletini vë n ‘theks faktin se parcelat përreth kanë pësuar trajtim tjetër, ku disa prej tyre janë privatizuar për një periudhë 99-vjeçare, ndërsa presioni po ushtrohet vetëm ndaj familjeve që u strehuan aty nga pamundësia për të vepruar ndryshe.
„Ne, kur i kemi ndërtuar shtëpitë këtu, i kemi ndërtuar se nuk kemi ardhur prej qejfit, se nuk e kemi ditur e kujt është, çka është, edhe u desh me u vendos këtu. Domethënë, kemi qenë refugjatë në qytetin tonë qe 27 vite, askush s’na ka pyetur, askush s’na ka ndihmuar. Komuna na ka ndihmuar kur e kemi rregulluar kanalizimin, na i ka dhënë gypat për kanalizim. Infrakos Sh.A. ka ardhur në vitin 2024, në dhjetor. Ne kemi aplikuar në vitin 2023 për legalizim, që ka qenë afati prej Qeverisë, e në vitin 2024 ka ardhur Infrakos Sh.A. me do letra shumë të paqarta për me ia liruar pronën për 14 ditë dhe ne prej asaj kohe jemi me Infrakos Sh.A. në proces gjyqësor. Por, qikjo prona 02688-3 është privatizuar për 99 vjet, ndërsa për 02688-4 Infrakos po pretendon se është e tyre e nuk kanë letër poseduese, ndërsa treshi është privatizuar. Ndërsa parcela numër 1 është këndej poshtë, është privatizuar betonierka për 99 vite. Domethënë, shumica e parcelës që po pretendon Infrakos Sh.A. është privatizuar për 99 vite e atyre s’po iu thonë kurgjo, veç neve ku i kemi shtëpitë, ne që kemi ardhur prej zorit, nuk kemi ardhur prej qejfit. Si me thënë ndryshe, na prej Kinës nuk kemi ardhur këtu, jemi pjesë e veriut, krejt kemi ardhur prej halli”, ka shpjeguar ai.
Në fund, banorët insistojnë se përgjatë gjithë këtyre viteve i kanë shlyer rregullisht detyrimet financiare për energjinë elektrike, ujësjellësin dhe tatimet, duke mos qenë në dijeni se toka ku u vendosën mund të përbënte mollë sherri në të ardhmen.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: