Sport
Rrëfimi i De Biasit: Si refuzoi Serie A për Shqipërinë dhe integrimi i lojtarëve nga Kosova
Reklamë e Sponsorizuar
Ish-trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Gianni De Biasi, ka ndarë detaje nga prapaskenat e emërimit të tij në krye të kuqezinjve, duke pranuar se në fillim kishte dilema për të marrë drejtimin e skuadrës, por në fund zgjodhi të respektonte fjalën e dhënë.
Strategu italian ka shpjeguar se pas një periudhe zhgënjyese te Udinese, ai ishte shprehur i prerë se nuk dëshironte të vijonte më karrierën e tij në futbollin italian.
Megjithatë, interesimi nga Shqipëria ndryshoi rrënjësisht planet e tij, pavarësisht insistimit të Lecces, e cila e kërkonte në Serie A.
“Kisha eksperiencë dëshpëruese tek Udinese dhe thashë se nuk dua të punoj më në Itali. Dhe më pas mora ofertë nga Shqipëria. U takuam në Milano për marrëveshje. Një gazetar më vonë më tha se më kanë zgjedhur, por nuk isha i gatshëm. Lecce më donte në Serie A, por u mbështeta pas fjalës së dhënë. Në fund, e arritëm marrëveshjen dhe e nisa rrugëtimin si përzgjedhës”, ka deklaruar De Biasi për “Tuttomercatoweb”.
Tekniku italian ka evokuar gjithashtu hapat e tij të parë në stolin kuqezi, duke theksuar se kishte marrë drejtimin në një fazë të tranzicionit mes gjeneratave, por me punë të palodhur ndërtoi një grup konkurrues dhe u nguliti lojtarëve mentalitetin e suksesit.
“Mbërrita në kohën e ndërrimit të gjeneratës. Shkova pa e ditur se çfarë më pret, por doja të kthehesha në rrugën e duhur. Në dy vitet e para bëmë mirë, dhe në dy vitet tjera, arritëm që ta ngremë nivelin. Arrita që në kombëtare të sjell kosovarët, të cilët ende nuk ishin të pranuar në FIFA. E rritëm sasinë dhe cilësinë dhe ia dola që t’ua fus në mendjet e tyre idenë se mrekullia ishte e mundur. Kulmi u arrit me kualifikim në Euro 2016”, ka shtuar ai.
De Biasi mori drejtimin e Shqipërisë në vitin 2011 dhe qëndroi deri në vitin 2017. Gjatë kësaj kohe, ai e udhëhoqi Kombëtaren në 51 ndeshje zyrtare, duke regjistruar 19 fitore, 10 barazime dhe 22 humbje.
Suksesi më i madh i epokës së tij mbetet kualifikimi historik në Kampionatin Evropian të vitit 2016 në Francë, që shënoi edhe pjesëmarrjen e parë të Shqipërisë në një turne të tillë madhor.
Edhe pse kuqezinjtë u eliminuan në fazën e grupeve, triumfi ndaj Rumanisë me rezultatin 1-0 mbetet një ndër episodet më legjendare në historinë e sportit mbarëshqiptar.
Gianni De Biasi vijon të mbetet një ndër figurat më të rëndësishme në histori të Kombëtares, si njeriu që e bëri realitet ëndrrën e shumë brezave.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: