Kronikë
Hetimet ndaj Përparim Ramës për “Arkitektin e Kryeqytetit”, reagon ashq Lëvizja Vetëvendosje
Reklamë e Sponsorizuar
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është paraqitur gjatë ditës së premte para Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ku është marrë në pyetje në cilësinë e të pandehurit lidhur me zhvillimet rreth projektit të njohur si “Arkitekti i Kryeqytetit”.
I pari i Komunës së Prishtinës po ballafaqohet me dyshimet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Zhvillimet e fundit rreth këtij rasti kanë nxitur reagime në skenën politike lokale, ku kreu i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka dalë me një qëndrim zyrtar.
Sveçla ka bërë të ditur se subjekti i tij politik e mirëpret veprimin e ndërmarrë nga Prokuroria Speciale, duke vënë inftaz te fakti se parimi i llogaridhënies dhe përgjegjësisë ligjore duhet të zbatohet njësoj për secilin individ, pa asnjë lloj përjashtimi.
“E mirëpresim intervistimin e kryetarit të Prishtinës, z.Përparim Rama, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës. Llogaridhënia dhe përgjegjësia ligjore janë elemente bazë në një shoqëri demokrarike ku sundimi i ligjit duhet të jetë parim bazë. Për të gjithë, ndaj secilit, pa përjashtim”, ka deklaruar ai.
Duke u ndalur te nisma “Arkitekti i Kryeqytetit”, Sveçla ka sjellë në vëmendje kundërshtimin e hershëm të partisë së tij qysh nga koha kur ky projekt u prezantua për herë të parë.
“Prej ditës kur është prezantuar si projekt, “Arkitekti i Kryeqytetit”, ne kemi qenë kundër tij për shkak se ka qenë evidente që bëhet fjalë për potencial të madh për korrupsion e abuzim me buxhetin e qytetarëve të Prishtinës. E kemi kundërshtuar në Kuvend Komunal, kemi sinjalizuar në media, e kemi bërë kallëzime penale te institucionet kompetente”, ka theksuar më tej asamblisti i Vetëvendosjes.
Ai nuk ka lënë pa kritikuar edhe stilin qeverisës të kryetarit Rama, duke adresuar akuza të rënda për shkelje ligjore, mungesë transparence, si dhe prani të dukshme të nepotizmit dhe klientelizmit.
“Për shkak të formës së qeverisjes së zotit Rama dhe subjekteve që e mbështesin, për shkak të shkeljeve të vazhdueshme ligjore, mungesës së transparencës, nepotizmit e klientelizmit të shpërfaqur, për ne, trajtimi i qeverisjes lokale nga Prokuroria Speciale ka qenë epilog i pritur dhe i pashmangshëm”, është shprehur Sveçla.
Sipas tij, çështja e “Arkitektit të Kryeqytetit” përbën vetëm një nga serinë e skandaleve për të cilat Përparim Rama do të duhet të japë llogari para drejtësisë, duke përmendur këtu edhe çështjen e legalizimeve apo kontratën për ndriçimin Smart.
“Ne jemi të bindur se “Arkitekti i Kryeqytetit” është vetëm një nga rastet për të cilat Përparim Rama do të përgjigjet penalisht. Skandali i Legalizimeve, kontrata për ndriçimin Smart, e shumë raste të tjera, nuk ia lëshojnë fare rrugën “Arkitektit të Kryeqytetit” për nga abuzimi i bërë me buxhetin publik”, ka shtuar ai.
Në fund të prononcimit të tij, Sveçla ka paralajmëruar se nëse organet e drejtësisë do të veprojnë me paanshmëri për të zbardhur të gjitha dyshimet e pesë viteve të fundit në kryeqytet, kjo do të shënojë fundin e karrierës politike të kryetarit aktual.
“Nëse drejtësia është e drejtë dhe nëse me të vërtetë synohet zbardhja e keqpërdorimeve që kanë ndodhur në komunën e Prishtinës gjatë pesë viteve të fundit, atëherë pa dyshim që ky do të jetë fundi politik i Përparim Ramës, por jo vetëm i tij”, ka përfunduar Gëzim Sveçla.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: