Sport
Kriza e Teutës, trajneri Tetova kërkon kthesën ndaj Partizanit për të rimarrë kreun
Reklamë e Sponsorizuar
Problemi i Teutës për të gjetur rrugën e rrjetës është shndërruar tashmë në një shqetësim të hapur për skuadrën bregdetare, e cila ka shfaqur oshilacione të dukshme në fazën sulmuese.
Gjatë tre takimeve të fundit, ekipi i drejtuar nga tekniku Edlir Tetova ka arritur të tundë rrjetën e kundërshtarëve vetëm dy herë, statistikë kjo që është reflektuar menjëherë edhe në ecurinë e rezultateve, duke regjistruar një fitore, një barazim dhe një humbje.
Ky ngadalësim i ritmit në sulm i ka kushtuar shtrenjtë djemve të detit, të cilët kanë humbur kryesimin e Kategorisë Superiore, pozicion që tashmë mbahet nga Egnatia. Por ku fshihet nyja gordiane e këtij ngërçi?
Statistikat tregojnë një kontrast të madh në krahasim me nisjen e kampionatit; pas pesë javësh të para, durrsakët kishin realizuar plot 10 herë, me mesataren e dy golave për ndeshje, ku sulmuesi kryesor Mmesoma Umejiego kontribuoi me katër finalizime.
Megjithatë, 23-vjeçari nigerian ka humbur papritur besimin e trajnerit Tetova dhe nuk është më pjesë e formacionit bazë, një situatë që ka ndikuar negativisht te forma e tij, duke e lënë atë pa shënuar në katër ndeshje radhazi.
Sfida e radhës kundër Partizanit shfaqet si mundësia ideale që trajneri Edlir Tetova të rigjejë efikasitetin e munguar dhe ta kthejë skuadrën e Teutës te goli përballë portës së kryeqytetasve.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: