Botë
Përplasja diplomatike për fjalët e Mbappes ndaj ish-liderit kinez: SHBA-ja i del në krah yllit francez
Reklamë e Sponsorizuar
Kylian Mbappe është bërë pjesë e një vorbulle politike që ka kapërcyer kufijtë e fushëbreshit të gjelbër. Komentet e sulmuesit francez rreth ish-udhëheqësit kinez, Mao Ce Dun, kanë ndezur një valë pakënaqësie në Pekin, por në mbrojtje të kapitenit të “Gjelave” kanë dalë papritur Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
John Moolenaar, i cili drejton komitetin e Dhomës së Përfaqësuesve për çështjet e Kinës, ka theksuar se sulmuesi i Real Madridit nuk ka asnjë arsye morale apo profesionale për të kërkuar ndjesë.
Sipas raportimeve të shtypit francez, përfshirja e zyrtarëve amerikanë e ka zgjeruar edhe më shumë këtë konflikt, duke e ndërlidhur atë me tensionet e gjera gjeopolitike mes Uashingtonit dhe shtetit aziatik.
Debati ka marrë dhenë pas publikimit të një videoje ku Mbappe e cilësonte hapur Mao Ce Dunin si diktator, gjë që shtyu disa kompani kineze t’i japin fund kontratave publicitare me futbollistin.
Kjo situatë e tensionuar ka ngritur shqetësime se polemika mund t’i shkaktojë Real Madridit dëme financiale në vlera miliona euro.
Nga ana e saj, Federata Kineze e Futbollit ka dorëzuar një protestë zyrtare, ndërsa një rrjet i madh mediatik në Kinë ka kërkuar një ndjesë publike nga vetë klubi madrilen, duke e bërë atë fajtor për qëndrimet e lojtarit të tij.
Në përpjekje e sipër për të ulur tensionet e krijuara gjatë dy ditëve të fundit, drejtuesit e Real Madridit, presidenti i La Ligës, Javier Tebas, si dhe vetë Mbappe, kanë lëshuar deklarata pendese drejtuar publikut kinez.
Megjithatë, ligjvënësi amerikan Moolenaar ka një qasje krejtësisht ndryshe ndaj kësaj çështjeje. Përfaqësuesi republikan është shprehur i vendosur kundër asaj që e quan përulje të pajustifikuar ndaj autoriteteve të Pekinit.
Përmes një njoftimi zyrtar nga Komiteti i Përzgjedhur për Kinën, politikani nga Miçigani ka mbështetur fuqimisht lojtarin, duke nënvizuar se e vërteta historike nuk duhet të fshihet përmes kërkesave për falje.
“Ylli botëror i futbollit, Kylian Mbappe, nuk duhet të kërkojë falje pse e quajti Mao Ce Dunin diktator. Mao ishte diktator dhe u shkaktoi popullit kinez dëme shumë më të mëdha sesa mund të shkaktojë çfarëdo deklarate e një futbollisti”, ka deklaruar Moolenaar.
Ai ka shtuar se politikat shkatërruese të regjimit të Maos sollën humbjen e jetëve të dhjetëra miliona qytetarëve kinezë gjatë periudhave si Revolucioni Kulturor apo Uria e Madhe.
“Turpi i vërtetë në këtë histori janë kompanitë që nxitojnë të kërkojnë falje vetëm që të mund të vazhdojnë të bëjnë biznes në Kinë”, ka përfunduar ai.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: