Kronikë
Tragjedia e Arlindës: Gjykata e Pejës zbardh prapaskenat e urdhrit mbrojtës dhe nis hetimet e thelluara
Reklamë e Sponsorizuar
Dokumentacioni i plotë lidhur me urdhrin mbrojtës për Arlinda Zekajn, i cili përfshinte edhe ndarjen e banesës me Jeton Sylajn pavarësisht të kaluarës së tij kriminale, tashmë ka kaluar në duart e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Ky zhvillim vjen pas diskutimeve të shumta rreth këtij rasti tragjik.
Këtë e ka konfirmuar kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë, Shemsedin Haxhijaj, i cili ka dhënë detaje rreth hapave të ndërmarrë nga institucionet e drejtësisë.
“Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor ka autorizuar Drejtorin e Inspektimit, realisht kanë ardhur dy inspektorë i kanë marrë shkresat e lëndës edhe kanë me dalë me një raport të detajuar e të analizuar prej momentit që është dorëzuar kërkesa e derisa ka marrë epilog…”, ka theksuar Shemsedin Haxhijaj, kryetar i Gjykatës Themelore në Pejë.
Në një prononcim përmes telefonit, Haxhijaj është ndalur edhe te vendimi i kontestuar, duke shpjeguar se kufizimet e vendosura ishin pasqyrim i kërkesave të vetë palëve në procedurë.
“Në raportet civile gjyqtari që e ka për trajtim lëndën është i lidhur vetëm për kërkesën e palës. Veç çka kërkon pala, në këtë rast vetëm Zyra për mbrojtjen e viktimave dhe avokatja e të ndjerës dhe s’mundemi asgjë me ndërmarrë jashtë kërkesës që e kanë ata edhe gjyqtari ka vendosur konform kërkesës që e ka pasur…”, ka deklaruar ai.
Ndërkohë, përmes një komunikate zyrtare për media, KGJK-ja ka bërë të ditur se kryesuesi Rrustem Thaqi kishte autorizuar Drejtorin e Njësisë për Inspektim Gjyqësor qysh të hënën për të nisur verifikimet e nevojshme, ndërsa raporti përkatësisht i është dorëzuar Këshillit gjatë ditës.
“Me datën 17 shtator 2026, znj. Arlinda Sylaj Zekaj i është drejtuar me kërkesë Kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë, ku ka shprehur pretendimet se gjyqtari i çështjes ka vendosur kundërligjshëm dhe pas afateve ligjore. Kryetari i Gjykatës në Pejë, po të njëjtën ditë, me datën 17 shtator 2026 i është drejtuar gjyqtarit të çështjes me kërkesë që ta informohet lidhur me çështjen si dhe me veprimet e ndërmarra. Po të njëjtën ditë, gjyqtari i çështjes është përgjigjur në kërkesën e Kryetarit. Ndërsa, me datën 20 tetor 2026 Kryetari i Gjykatës me shkresën GJA.nr.197/26 i është përgjigjur znj. Arlinda Syla Zekaj duke i sqaruar të gjitha veprimet e ndërmarra nga Gjykata në lidhje me rastin”, thuhet në njoftim.
Sipas gjetjeve të deritanishme të Njësisë Inspektuese, emri i Albert Sylajt, i dyshuar për vrasjen e Arlindës, nuk figuron në asnjë shkresë të lëndës, teksa është konfirmuar gjithashtu se në adresë të Këshillit nuk ka pasur asnjë kërkesë të drejtpërdrejtë nga viktima.
Megjithatë, një kërkesë për ndihmë e dërguar nga Arlinda para se ajo të humbte jetën tragjikisht, kishte mbërritur në Këshillin Prokurorial të Kosovës, i cili më pas e kishte përcjellë çështjen te kryeprokurorja në Pejë. Aktualisht, ky Këshill mbetet në pritje të raportit nga zyra përkatëse për të përcaktuar hapat e ardhshëm.
“Ju njoftojmë se Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) është duke përcjellë me vëmendje rastin në fjalë. Në këtë drejtim, përgjegjësia eventuale e prokurorëve bëhet në përputhje me dispozitat e Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, duke respektuar procedurat dhe kompetencat e përcaktuara me ligj, pas pranimit të njoftimit apo kërkesës nga autoriteti kompetent. Këto dispozita nuk i japin KPK-së mandat dhe kompetencë për shqyrtim të mënyrës së trajtimit të rasteve penale në mënyrë të drejtpërdrejtë, sipas detyrës zyrtare. Deri më tani, KPK-ja nuk ka pranuar kërkesë zyrtare nga autoriteti kompetent për trajtimin e kësaj çështjeje. Në rast të pranimit të një kërkese apo informacioni zyrtar që kërkon veprim brenda kompetencave të tij, KPK-ja do ta trajtojë atë në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi”.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: