Ekonomi
Alarmi i LSDM-së: Buxheti i shtetit ka një gropë prej 900 milionë eurosh, rrezikohen pagat dhe pensionet
Reklamë e Sponsorizuar
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, ka lëshuar një paralajmërim të ashpër lidhur me gjendjen e financave publike, duke deklaruar se në buxhet mungojnë plot 900 milionë euro. Sipas tij, miratimi i ribalancit të dytë dëshmon qartë keqmenaxhimin ekonomik nga ana e ekzekutivit aktual.
“Gjithnjë e më shumë po bëhet e qartë se buxheti është në gjendje katastrofike, mungojnë pothuajse një miliard euro, 900 milionë euro mungojnë nga buxheti dhe përveç kësaj mungojnë edhe një miliard euro nga Fondi i sigurimit pensional dhe invalidor për pensionet. Stabiliteti i buxhetit është seriozisht nën kërcënim si dhe pyetjet se ku dhe nga cilat burime në periudhën e ardhshme, qoftë para Vitit të Ri, apo në fillim të vitit të ardhshëm, do të paguhen pagat dhe pensionet”, ka theksuar Filipçe.
Kreu i opozitës maqedonase vuri në dukje se ndërkohë që shtetet e tjera tashmë janë të angazhuara në diskutimet për buxhetin e vitit të ardhshëm, vendi po detyrohet të ndërmarrë një ribalanc të dytë brenda vetëm një viti kalendarik.
“Nuk ka vend që tani bën një ribalanc të dytë të buxhetit. Të gjitha vendet që po menaxhojnë mirë tashmë po diskutojnë buxhetet për vitin 2027. Çfarë po bëjmë ne? Një ribalanc në mënyrë që sapo të përfundojë ky ribalanc, të mund të fillojë dhe të hapet diskutimi për buxhetin e vitit të ardhshëm”, shtoi ai.
Gjatë një konference për media, Filipçe u shpreh se ky dokument fiskal nuk garanton mjete për përmirësimin e standardit të jetesës apo rritjen e pagave, por përkundrazi sjell reduktim të investimeve kapitale dhe hap hapësirë për valë të reja huamarrjesh. Ai kujtoi se edhe gjatë ribalancit të muajit korrik, defekti u zmadhua me pretekstin e financimit të projekteve kapitale, të cilat tani po pësojnë shkurtime, ndërkohë që deficiti mbetet i lartë.
Lideri i socialdemokratëve potencoi se dështimi në planifikim reflektohet edhe te të hyrat, projeksionet e të cilave po pësojnë zvogëlim nga qeveria, ndërsa borxhi publik vazhdon të shënojë rritje shqetësuese.
“Nga ana e të ardhurave, nuk ka prova më të mëdha të planifikimit të dobët dhe mungesës së kapacitetit të institucioneve. Konkretisht, në korrik Qeveria e rriti projeksionin në 379.5 miliardë denarë, ndërsa tani po e zvogëlon në 5.3 miliardë denarë në rreth 374 miliardë denarë. Çfarë do të thotë kjo? Se ana e të ardhurave është nënfinancuar seriozisht. Borxhi publik po rritet, do të arrijë në 12 miliardë euro me borxhet e ndërmarrjeve publike, kryesisht të Ndërmarrjes publike ‘Rrugët Shtetërore’”, përfundoi Filipçe, duke shtuar se brenda një periudhe dyvjeçare e gjysmë, borxhi i përgjithshëm është fryrë për rreth 4 miliardë euro.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: