Politikë
Sveçla takon zyrtarin e lartë të Komisionit Evropian: Kosova po shënon hapa para në migrim dhe siguri
Reklamë e Sponsorizuar
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka zhvilluar sot një takim zyrtar me Olivier Onidi, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme për Migracionin dhe Çështjet e Brendshme (DG HOME) të Komisionit Evropian, i cili shërben edhe si Koordinator për Zonën Schengen.
Gjatë këtij takimi, dy bashkëbiseduesit shtjelluan ecurinë e deritanishme të bashkëpunimit ndërmjet dikasterit të Brendshëm dhe DG HOME, arritjet e Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian, si dhe thellimin e reformave në sektorët e migrimit, menaxhimit kufitar, azilit dhe sigurisë publike.
Me këtë rast, ministri Sveçla shprehu falënderimet e tij për mbështetjen e pakursyer që DG HOME i ka dhënë institucioneve vendore në ngritjen e kapaciteteve dhe përafrimin e legjislacionit me standardet e Bashkimit Evropian. Ai veçoi rëndësinë e nisjes së implementimit të nismave të reja në kuadër të fondeve IPA, pasi Kuvendi i Republikës së Kosovës të ketë ratifikuar marrëveshjet financiare përkatëse.
Tutje, gjatë bisedës, kreu i MPB-së njoftoi zyrtarin e lartë evropian mbi hapat e ndërmarrë në përmbylljen e Strategjisë së re për Migrim dhe Planit të Veprimit, Strategjisë Kundër Krimit të Organizuar (2026-2030), projektligjit për Kontrollin e Kufirit Shtetëror, si dhe masat praktike për zbatimin e Ligjit për të Huajt. Një fokus i veçantë iu kushtua edhe procesit të liberalizimit të vizave, ku u vu theksi te funksionimi i mekanizmave të monitorimit dhe ulja e ndjeshme e kërkesave për azil nga shtetasit kosovarë në vendet e Bashkimit Evropian.
Në fund të takimit, ministri Sveçla ritheksoi vendosmërinë e institucioneve të Kosovës për të çuar përpara reformat dhe për të përmbushur rekomandimet e BE-së, duke shprehur gatishmërinë për forcimin e partneritetit me DG HOME dhe agjencitë e saj me qëllim garantimin e sigurisë, menaxhimin e qëndrueshëm të migrimit dhe përshpejtimin e integrimit evropian.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: