Politikë
Marta Kos: Pa sanksione ndaj Moskës nuk ka integrim evropian për Serbinë
Reklamë e Sponsorizuar
Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka theksuar se Beogradi do të ndeshet me pengesa serioze në rrugën e tij drejt familjes evropiane, nëse dështon të harmonizojë politikën e tij të jashtme dhe të sigurisë me atë të bllokut, me fokus të veçantë te qasja ndaj Rusisë dhe agresionit në Ukrainë.
E pyetur drejtpërdrejt nëse Beogradi mund të anëtarësohet në BE pa iu bashkuar masave ndëshkimore kundër Kremlinit, Kos bëri të qartë se bashkërendimi i qëndrimeve për çështje kyçe strategjike është një parakusht i panegociueshëm për çdo hap para në procesin e integrimit.
"Nuk do të jetë e mundur që një vend që nuk përafrohet me ne për çështje me interes strategjik, siç janë politika e jashtme dhe ajo e sigurisë, përkatësisht lufta e përbashkët kundër Rusisë, veçanërisht në kontekstin e luftës ruse në Ukrainë, të përparojë. Kjo do të jetë shumë, shumë e vështirë", deklaroi Kos për TVP World.
Pavarësisht kësaj, zyrtarja e lartë evropiane sqaroi se Brukseli zyrtar ende nuk ka ulur në tryezë diskutimet me ekzekutivin e ri serb lidhur me këtë temë të ndjeshme.
“Prandaj, fillimisht duhet të formojnë qeverinë e re dhe më pas do të shohim se si dhe nëse do të mund të vazhdojmë më tej në këtë fushë”, u shpreh ajo.
Këto deklarata të prerë të Kos dëshmojnë edhe një herë se për BE-jën, përafrimi i plotë i shteteve kandidate me politikën e jashtme të Unionit mbetet një gur prove, sidomos në kohën kur raportet mes Brukselit dhe Beogradit vazhdojnë të kushtëzohen nga qëndrimi ndaj Moskës dhe luftës në Ukrainë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: