Politikë
Nisja e “Akordeve të Kosovës”: Bogujevci inspekton nga afër përgatitjet finale në sallën “1 Tetori”
Reklamë e Sponsorizuar
Ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, ka zhvilluar një vizitë inspektimi në sallën “1 Tetori” për të ndjekur nga afër ecurinë e përgatitjeve për Festivalin e Këngës “Akordet e Kosovës”. Kjo ngjarje kulturore vjen vetëm dy ditë para hapjes zyrtare të edicionit të katërt, i cili organizohet nën kujdesin e Radiotelevizionit të Kosovës.
Gjatë kësaj vizite, ajo ka inspektuar skenografinë e concepuar nga Vesë Kraja, si dhe detajet e tjera teknike dhe organizative të këtij festivali të rëndësishëm transmetuesit publik.
“Me një pjesë të ekipit të festivalit “Akordet e Kosovës”, duke parë nga afër përgatitjet dhe punën e mrekullueshme që po bëhet për festivalin, i cili nis këtë të premte në sallën “1 Tetori””, ka shkruar Bogujevci përmes një postimi në rrjetet sociale.
Në këtë vizitë, ministrja u prit nga drejtuesit e institucionit, përfshirë Drejtoreshën e Përgjithshme të RTK-së, Zana Spahiu, drejtoreshën e Festivalit të Këngës, Arta Avdiu, u.d. kryeredaktoren e RTK-së, Venera Xhoxhaj, si dhe staf i tjerë angazhuar në realizimin e edicionit të sivjetmë.
Edicioni i këtij viti është konceptuar të shtrihet në tri mbrëmje të veçanta, të pasura me ritme muzikore, emocione dhe performanca artistike. Një hapësirë e dedikuar do t'i kushtohet gjithashtu talenteve të reja përmes Festivalit të Fëmijëve më 1 nëntor, duke shërbyer si platformë promovimi për zërat e rinj të skenës sonë.
Sivjet është rikthyer emërtimi i dikurshëm i kësaj ngjarjeje historike muzikore në vend, “Akordet e Kosovës”, si një shenjë mirënjohjeje dhe respekti për gjeneratat e artistëve që kanë kontribuar ndër vite në zhvillimin e muzikës shqiptare.
Ekipi organizativ ka garantuar tri net magjike për artdashësit, të cilat do të shërbejnë si një festë e vërtetë e muzikës në kryeqytet. Spektakli do të ngrejë siparin me pjesëmarrjen e këngëtarëve mysafirë dhe artistëve të njohur për publikun, të cilët do të ngjiten në skenën madhështore të përgatitur për këtë ngjarje.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: