Sport
Nisja e rrugëtimit drejt Euro 2028: Selektori i Kosovës synon mrekullinë dhe bën thirrje për zjarr në tribuna
Reklamë e Sponsorizuar
Kombëtarja e Kosovës në hendboll po përgatitet për një nisje sfiduese në ciklin e ri kualifikues për Kampionatin Evropian 2028. Përfaqësuesja jonë do të ketë përballë kundërshtarë mjaft të fortë, ku do të nisë me sfidën në udhëtim ndaj Ishujve Faroe pas një jave, e më pas do të presë Hungarinë në shtëpi.
Strategu i Kombëtares, Jesper Ostlund, gjatë një deklarate të dhënë të mërkurën për faqen zyrtare të Federatës së Hendbollit të Kosovës (FHK), ka pranuar hapur se skuadra e tij hyn në këto dy ballafaqime si autsajdere e madhe. Megjithatë, ai ka shprehur besimin se djemtë e Kosovës do të japin maksimumin në fushë për të tentuar surprizën.
“I fillojmë kualifikimet për Kampionat Evropian duke u përballur me dy kundërshtarë vërtetë të fortë si Ishujt Faroe dhe Hungaria. Jemi autsajderë të mëdhenj në të dy ndeshjet, por natyrisht shpresojmë të paraqitemi mirë, ndërsa do të bëjmë çdo gjë për të befasuar këto Kombëtare”, u shpreh Ostlund pas shpalljes së listës së lojtarëve.
Ky grumbullim nuk vjen pa probleme për shtabin teknik, pasi Kosova do të paraqitet e mangët. Selektori konfirmoi mungesat e rëndësishme të dy organizatorëve kryesorë të lojës, Valon Dedaj dhe Leonard Gegaj, fakt ky që e shton edhe më shumë vështirësinë e kësaj faze. Nga ana tjetër, një lajm pozitiv është rikthimi i fundorit Endrit Abdullahi, i cili po kalon në një formë të shkëlqyer me klubin e tij në Suedi.
Ndeshja e dytë e këtij cikli kundër Hungarisë do të luhet në qytetin e Ferizajt, ndërsa Ostlund ka bërë thirrje për një mbështetje masive nga tifozët kosovarë, duke shpresuar në një ambient elektrizues.
“Do të jetë entuziazmuese për të parë se çka mund të arrijmë së bashku. Po ashtu shpresoj për atmosferë magjike në ndeshjen tonë në shtëpi në Ferizaj. Kam qenë në atë arenë për të parë top-ndeshjet e ligës kosovare më parë dhe vërtetë shpresoj se do të jetë atmosferë e njëjtë për ndeshjen ndaj Hungarisë”, përfundoi ai.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: