Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Aktuale

Gjiganti bavarez gati kontratën e re: Olise shënjestron Topin e Artë

Redaksia Lajmetereja • 28-10-2026 14:01
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Gjiganti bavarez gati kontratën e re: Olise shënjestron Topin e Artë
Drejtuesit e Bayern Munihut kanë nisur paraprakisht planet për të siguruar të ardhmen afatgjatë të Michael Olises, teksa në klub ekziston bindja e plotë se anësori francez zotëron atributet për të rrëmbyer në të ardhmen trofeun më prestigjioz individual, Topin e Artë. Edhe pse marrëveshja aktuale e sulmuesit shtrihet deri në vitin 2029, kampionët e Gjermanisë synojnë të nisin bisedimet për një zgjatje të re të bashkëpunimit, me qëllim që të mbrojnë yllin e tyre nga sulmet e skuadrave të tjera evropiane, sidomos pas formës së jashtëzakonshme që ai ka shfaqur që nga kalimi në Mynih prej Crystal Palace në vitin 2024. Në një prononcim për revistën gjermane Sport Bild, drejtori ekzekutiv i klubit, Jan-Christian Dreesen, ka thurur eloge për talentin e francezit, duke mos e përjashtuar aspak mundësinë që ai të kurorëzohet si më i miri në botë. “Nuk ka nevojë të diskutojmë nëse Michael është një futbollist i talentuar, sepse padyshim që është. Nëse dikush do të më pyeste sot nëse ai mund ta fitojë Topin e Artë një ditë, përgjigjja ime do të ishte gjithmonë: nuk shoh arsye pse jo”, deklaroi Dreesen. Megjithatë, numri një i ekzekutivit bavarez nënvizoi se për t'u ngjitur në majën e botës, lojtarit i duhet mbështetja e një kolektivi që funksionon në perfeksion. “Natyrisht, atij i duhet edhe një ekip që funksionon mirë. Këtë e ka kë te ne dhe ai e vlerëson këtë”, shtoi ai. Në votimet për Topin e Artë 2026, Olise u rendit në vendin e nëntë, si kurorëzim i një edicioni fantastik me fanellën e Bayernit dhe kombëtaren e Francës. Gjatë sezonit 2025/26, ai konfirmoi potencialin e tij duke realizuar 27 gola dhe duke dhuruar 35 asistime në 69 ndeshje zyrtare. Klubi gjerman e bleu francezin dy vite më parë për rreth 53 milionë euro, ndërsa paraqitjet e tij kanë rritur ndjeshëm vlerën në treg. Dreesen ka konfirmuar se bisedimet do të hapen në kohën e duhur. “Ne dëshirojmë që Michael të luajë për ne sa më gjatë që të jetë e mundur. Kur të vijë koha e duhur, do të diskutojmë me të për të ardhmen”, u shpreh drejtuesi i klubit bavarez. Forma e shkëlqyer e Olises ka nisur vrullshëm edhe për edicionin 2026/27, ku ai ka regjistruar tashmë 10 gola dhe gjashtë asistime në 11 paraqitje në të gjitha garat, duke u shndërruar përfundimisht në boshtin e lojës së skuadrës nga Mynihu.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar