Botë
Diplomacia në shërbim të historisë: Vazhdojnë vizitat në misionet konsullore të Kosovës në Evropë
Reklamë e Sponsorizuar
Pas ndalesave në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Strasburg dhe në Konsullatën e Përgjithshme në Cyrih, axhenda e vizitave në shtetet evropiane ka vazhduar në Gjermani, ku është vizituar Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Shtutgart. Aty kam pasur rastin të mirëpritem nga Konsulli i Përgjithshëm, z. Hamdi Bërbatovci, dhe bashkëpunëtori i tij, z. Gramoz Berisha.
Gjatë këtij takimi, në fokus të bisedës kanë qenë temat e rëndësisë kombëtare, ruajtja e kujtesës historike, si dhe urgjenca për dokumentimin dhe ndërkombëtarizimin e krimeve të luftës që kanë ndodhur në Kosovë.
Me këtë rast, përfaqësisë konsullore i është dhuruar libri im „Krimet serbe në Kosovë – Rasti i Deçanit“, i botuar në disa gjuhë të ndryshme. Ky botim, i cili mbështetet në qindra dëshmi autentike të viktimave dhe personave të mbijetuar, synon të japë një kontribut konkret në pasqyrimin e së vërtetës historike dhe në sensibilizimin ndërkombëtar lidhur me mizoritë e kryera në Kosovë.
Duke shprehur mirënjohje të thellë për mikpritjen e ngrohtë dhe gatishmërinë për dialog nga ana e diplomatëve tanë, mbetem i bindur se ky bashkëpunim ndërmjet institucioneve tofre diplomatike dhe studiuesve që merren me dokumentimin e historisë është tejet i domosdoshëm për mbrojtjen e kujtesës kolektive dhe transmetimin e së vërtetës tek brezat e ardhshëm.
Kujtesa historike mbetet njëkohësisht përgjegjësi morale ndaj së kaluarës, obligim ndaj së vërtetës dhe amanet i shenjtë për gjeneratat që vijnë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: