Sport
Ekstradim drejt Shqipërisë: Kapen në Greqi autori i dyshuar i vrasjes së Rexhep Ismailit dhe bashkëpunëtori i tij
Reklamë e Sponsorizuar
Operacioni ndërkombëtar i koduar “The Wanted” ka dhënë rezultatet e radhës, duke çuar në pranga në territorin grek dy persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar për ekzekutimin e 66-vjeçarit Rexhep Ismaili. Ngjarja e rëndë ndodhi më 7 maj 2026, në fshatin Gjashtë të Sarandës, ndërsa arrestimet janë arritur falë bashkëpunimit të ngushtë mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve ligjzbatuese helene.
Në kuadër të shkmbimit të informacioneve mes Interpol Tiranës dhe Interpol Athinës, është bërë i mundur ndalimi i përkohshëm i shtetasit Lulëzim Tabaku, 37 vjeç, i cili akuzohet si ekzekutori i dyshuar i ngjarjes, si dhe i 40-vjeçarit Idriz Çelo, i dyshuar për përfshirje në dhunën fizike me sende të forta që i parapriu krimit fatal.
Sipas dosjes hetimore, krimi u regjistrua brenda ambienteve të lokalit të viktimës Rexhep Ismaili në fshatin Gjashtë, ku 37-vjeçari Lulëzim Tabaku dyshohet se e qëlloi për vdekje me armë zjarri pistoletë. Më parë, mes palëve kishte ndodhur një përplasje fizike me mjete të forta, ku dyshohet se ka marrë pjesë edhe Idriz Çelo, i cili u lokalizua dhe u kap përfundimisht në ishullin e Korfuzit.
Për autorin e dyshuar Lulëzim Tabaku, Gjykata e Sarandës ka caktuar më herët masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale të vrasjes me dashje, armëmbajtjes pa leje dhe kanosjes, të kryera në bashkëpunim. Ndërkaq, ndaj Idriz Çelos rëndojnë akuzat për moskallëzim krimi, kanosje dhe shkatërrim prone, ndërsa gjatë fshehjes në Korfuz ai rezulton të ketë përdorur edhe identitet të rremë për t'i shpëtuar drejtësisë.
Autoritetet policore po bashkëpunojnë ngushtë për finalizimin e procedurave ligjore të ekstradimit të dy të arrestuarve drejt Shqipërisë, ndërkohë që vijojnë hetimet intensive për identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë ngjarje kriminale.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: