Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Aktuale

“Ne nuk kishim shumë, por kishim njëri-tjetrin”: Vepra e re e shkrimtares Nertila Vruzhaj vjen në vëmendje të lexuesve

Redaksia Lajmetereja • 28-09-2026 05:21
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
“Ne nuk kishim shumë, por kishim njëri-tjetrin”: Vepra e re e shkrimtares Nertila Vruzhaj vjen në vëmendje të lexuesve
Krijimtaria letrare e vlonjateve ka fituar një zë tjetër përmes penës së shkrimtares Nertila Vruzhaj. Falë angazhimit dhe ndërmjetësimit të dy autoreve të njohura të qytetit, Laureta Petoshati dhe Anila Toto, biblioteka e lexuesve është pasuruar me një prozë të ndjeshme, e cila trajton tematikë të dhimbshme dhe universale mbi humbjen e dashurisë njerëzore, duke përcjellë mesazhe domethënëse për të ardhmen. Në kuadër të këtij promovimi, vlerësim i veçantë i është kushtuar edhe angazhimit të Qendrës Kulturore të Bashkisë Vlorë për organizimin e këtij aktiviteti. Përtej vlerave kulturore, vepra me mbi 170 faqe shquhet për kontributin e saj në edukimin moral dhe qytetar të shoqërisë përmes një gjuhe të zgjedhur me kujdes. Vepra e autorja Vruzhaj ndërtohet mbi një trini mistike të kësaj bote të lodhur, ku ndërthuren tri breza, tri këndvështrime, tri etapa dhe tri psikologji të ndryshme. Kjo strukturë pasqyrohet në mikrokozmose marrëdhëniesh dhe kontrastesh të thella, ku përplasen dashuria me dhembjen, idealja me paranë, dëlirësia me hipokrizinë, si dhe mirësia përballë ligësisë. Autorja paraqitet jo thjesht si një krijuese e spikatur, por si një misionare e vërtetë e mirësisë njerëzore. Ajo sjell një gjuhë të pastër, të pasur dhe të kulturuar, duke e bërë librin një vlerë të shtuar në letërsinë socio-psikologjike dhe një manual reflektimi për shoqërinë bashkëkohore. Pa qenë aspak moralizues, libri shërben si një manifest i filozofisë morale, aq i nevojshëm në kohët e sotme kur shoqëria përballet me sfida të shumta dhe çorientim vlerash. E pajisur me një formim akademik në Jurisprudencë dhe e mbështetur te parimet e drejtësisë e të saktësisë, autorja përcjell mesazhin thelbësor të veprës: “Ne nuk kishim shumë, por kishim njëri-tjetrin”. Kjo fjali e thjeshtë, e cila përmbledh thelbin e librit me gjashtë krei, vjen në formën e esesë argumentuese. Përmes kësaj qasjeje, e cila ndërthur përvojën jetësore, dijen akademike dhe talentin letrar, autorja dëshmon vizion të qartë dhe njohuri të thella në ndërthurjen e esesë letrare me atë filozofike e kritike.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar