Politikë
Zgjedhjet në Izrael: Gadi Eisenkot flet për shkarkimin e Netanyahut, Likudi bën thirrje për qetësi
Reklamë e Sponsorizuar
Sondazhet e para të opinionit publik në Izrael pas mbylljes së qendrave të votimit kanë sjellë përplasje të forta verbale mes krahut politik të kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe opozitës. Ndërsa kampi i kryeministrit kërkon durim duke e quajtur të nxituar çdo festim të mundshëm, opozita ka nisur tashmë deklaratat për ndryshim të pushtetit.
Kreu i formacionit politik Yashar dhe njërëzit kryesorë përballë kryeministrit, Gadi Eisenkot, ka theksuar se të dhënat e para dëshmojnë qartë një “mosbesim të plotë ndaj Netanyahut dhe qeverisë së 7 tetorit”. Ai ka shtuar se, nëse këto shifra marrin konfirmimin zyrtar, do të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të përmbushur vullnetin e qytetarëve, duke zëvendësuar kabinetin aktual me një qeveri me orientim sionist.
Nga ana e tij, ish-kryeministri Yair Lapid, i cili garoi nën një listë të përbashkët me Naftali Bennett, ka bërë të tohur se blloku mbështetës i Netanyahut ka regjistruar një humbje të rëndë në këto zgjedhje.
Në krahun tjetër, ministri i Jashtëm Gideon Sa'ar ka reaguar ndaj entuziazmit të opozitës, duke e cilësuar atë të parakohshëm. Sipas tij, një fakt mbetet i palëkundur: partia Likud vijon të jetë forca më e madhe politike në mbarë Izraelin.
Edhe sondazhet e tjera japin të njëjtën pamje
Përveç transmetuesit publik Kan, shifrat e exit poll-eve janë publikuar edhe nga rrjetet e tjera televizive. Kanali 12 i atribuon Likudit 24 mandate, ndërsa partisë Yashar i jep 22 mandate. Në total, blloku opozitar llogaritet në 52 mandate, kundrejt 50 mandateve të kampit të Netanyahut, ndërsa formacionet arabe shënojnë një rezultat historik me 18 mandate. Ndërkaq, Kanali 13 raporton 25 mandate për Likudin dhe 23 për Yashar-in.
Një perspektivë krejtësisht ndryshe paraqitet nga Kanali 14, i njohur për afërsinë e tij me kabinetin e Netanyahut, i cili parashikon një rezultat të barabartë prej 60 mandatesh për secilin bllok, duke i dhënë vetëm Likudit 30 mandate.
Nëse ky trend konfirmohet në rezultatet përfundimtare, koalicioni i Netanyahut rrezikon të humbasë rreth 14 ulëse krahasuar me 64 mandatet e siguruara në vitin 2022. Megjithatë, as Eisenkot nuk siguron i vetëm shumicën e kërkuar prej 61 mandatesh, çka do t'i duhet të formojë një qeveri pakice me mbështetjen e dy partive arabe.
Tensione në ditën e votimit
Gjatë ditës së zgjedhjeve, situata ka qenë e tensionuar, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hodhi poshtë kërkesën e Likudit për shtyrjen e orarit të mbylljes së vendvotimeve, duke e akuzuar partinë e kryeministrit se po krijonte terren për dyshime ndaj rregullsisë zgjedhore.
Në të njëjtën linjë, drejtuesi i Sionizmit Fetar, Bezalel Smotrich, e cilësoi situatën si një “emergjencë për të djathtën”, duke pretenduar se pjesëmarrja e elektoratit arab kishte arritur nivelet më të larta në pesë dekadat e fundit.
Pjesëmarrja në votime ka thyer rekorde. Deri në orën 20:00, shifrat tregonin se 74,3 për qind e elektoratit ose mbi 5,4 milionë qytetarë izraelitë kishin hedhur votën e tyre, duke lënë pas shifrën prej 66,3 për qind të regjistruar në të njëjtën orë gjatë zgjedhjeve të vitit 2022.
Duhet theksuar se exit poll-et nuk përbëjnë ende rezultatin zyrtar. Pas përfundimit të numërimit të fletëvotimeve dhe pas konsultimeve zyrtare me forcat politike, presidenti Isaac Herzog do t'ia dorëzojë mandatin për krijimin e qeverisë së re atij kandidati që posedon mundësitë më reale për sukses.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: