Kronikë
Tragjedia në Vitomiricë, Avokati i Popullit: Institucionet duhet të japin llogari për dështimet në mbrojtjen e jetës
Reklamë e Sponsorizuar
Pas vrasjes tronditëse të Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka ngritur alarmin se organet shtetërore duhet të bëjnë një vetëreflektim të thellë mbi hapat e ndërmarrë dhe detyrimet që kishin për të parandaluar këtë ngjarje tragjike.
I ftuar në një debat televiziv, Qelaj u shpreh se shprehjet e zakonshme të ngushëllimit dhe tronditjes nuk mjaftojnë më, duke kërkuar llogaridhënie të mirëfilltë institucionale për të vlerësuar nëse është vepruar mjaftueshëm në mbrojtje të sigurisë dhe jetës së qytetarëve.
“Përtej asaj që është bërë retorikë e zakonshme duke treguar se sa të tronditur jemi, mendoj që e para që duhet të bëjmë kur ndodhin raste të tilla është që të reflektojmë se çfarë kemi bërë, cilat kanë qenë veprimet tona në kuadër të kompetencave e përgjegjësive që kemi për t’i shmangur raste të tilla”, ka deklaruar Qelaj.
Sipas tij, barra më e madhe e përgjegjësisë bie mbi Policinë e Kosovës dhe sistemin e drejtësisë si gardianë direktë të sigurisë publike, ndërsa shtoi se as strukturat e tjera shtetërore, përfshirë vetë institucionin e Avokatit të Popullit, nuk mund t'i shpëtojnë përgjegjësisë morale e institucionale.
Lidhur me viktimën, Qelaj konfirmoi se zyra e tij nuk kishte pranuar ndonjëherë ankesë nga Arlinda Zekaj, ndërsa theksoi se në raste kaq të ndjeshme aktivizohet menjëherë për të verifikuar të dhënat që disponon institucioni që drejton.
“Unë, me sa e di, nuk na ka shkruar kurrë. Nuk arrij t’i mbaj mend të gjithë ankuesit, por kur ka raste të ndjeshme, menjëherë angazhohem për të parë se çfarë kemi për rastin. Nuk them se, po të ishte adresuar te ne, do të ndryshonte rasti, por besoj fuqishëm se të gjitha hallkat e shtetit duhet të shohin nëse kanë bërë mjaftueshëm për t’i parandaluar raste të tilla, që fatkeqësisht janë raste të përsëritura”, u shpreh ai.
Gjatë këtij diskutimi, Avokati i Popullit preku edhe fenomenin shqetësues të dhunës në familje në vend, duke vënë njoft se statistikat zyrtare reflektojnë vetëm një pjesë të realitetit, pasi një numër i madh rastesh vazhdojnë të mbeten të heshtura dhe të fshehura brenda mureve shtëpiake.
“Ajo që e shpërfaqin statistikat është vetëm një pjesë. Kemi mbi 2 mijë e 500 raste të dhunës në familje të raportuara dhe mund të ketë edhe më shumë brenda mureve që nuk raportohen. Por mekanizmat kanë dështuar”, përfundoi Qelaj.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: