Aktuale
Nis realizimi i segmentit të dytë të autostradës Shkup-Bllacë, premtohet përfundimi deri në vitin 2030
Reklamë e Sponsorizuar
Kanë nisur zyrtarisht punimet ndërtimore për fazën e dytë të autostradës që lidh Shkupin me Bllacën, një segment ky me gjatësi prej 10 kilometrash.
Makineritë e rënda të kompanisë fituese janë vendosur tashmë në terren, duke shënuar fillimin e aktivitetit ndërtues fiks dy muaj pas ceremonisë së vendosjes së gurthemelit, vonesë kjo që sipas zëvendësdrejtorit të institucionit përkatës ka ndodhur për arsye objektive.
Projektbuxheti për këtë vepër infrastrukturore parashikon ndërtimin e rreth 40 objekteve përcjellëse, ku përfshihen 5 tunele në të dyja anët, 8 ura, 11 nënkalime, 4 galeri dhe 9 mure mbajtëse anësore. Afati i caktuar për përfundimin e plotë të punimeve është parashikuar në katër vjet, ndërsa inaugurohet pritet të bëhet në verën e vitit 2030. Autoritetet bënë të ditur se procesi i shpronësimit ka ecur me sukses dhe është zgjidhur në masën mbi 65%, çka do të thotë se nuk do të përbëjë pengesë sikurse ka ndodhur në projekte të tjera të ngjashme në të kaluarën.
Financimi i këtij investimi të rëndësishëm mbështetet nga burime të ndryshme: 167,6 milionë euro janë siguruar përmes kredive nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), një grant prej 30,82 milionë eurosh vjen nga korniza e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, kurse pjesa e mbetur prej 23,58 milionë eurosh mbulohet nga buxheti i Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetërore”.
Vetëm faza e projektimit, e cila i u besua kompanive SH.A. “Omega” dhe “Hill International”, ka kushtuar 3,1 milionë euro, mjete këto të siguruara tërësisht nga grantet. Vetë autostrada do të ketë nga dy korsi qarkullimi në secilin drejtim, me nga 3,5 metra gjerësi secila, si dhe nga një korsi emergjente me gjerësi 2,5 metra.
Kompania “Granit”, e cila ka lidhur kontratën zyrtare me shtetin për ndërtimin e këtij segmenti prej 10,5 kilometrash, nisi punën në terren. Vlera totale e projektit, e cila përfshin edhe pesë vjet mirëmbajtje pas përurimit zyrtar të rrugës, llogaritet në 222 milionë euro. Kujtojmë se segmenti i parë i kësaj autostrade, i gjatë vetëm 2 kilometra, u karakterizua nga zvarritje të shumta ndër vite dhe përfundoi si një rrugë pa krye.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: