Politikë
Goditje e re për qytetarët, qeveria planifikon taksë shtesë prej 3 lekësh për litër nafte
Reklamë e Sponsorizuar
Në një periudhë kur qytetarët po përballen me një krizë të theksuar çmimesh, sektori i karburanteve rrezikon të rëndohet nga një barrë e re fiskale prej rreth 40 milionë eurosh në vit. Sipas projektligjit të përgatitur, qeveria parashikon vendosjen e një tarife të re prej 3 lekësh për çdo litër naftë të shitur.
Kjo tarifë e re synon të sigurojë fondet e nevojshme për financimin, krijimin dhe menaxhimin e rezervës së sigurisë për naftën bruto dhe nënproduktet e saj. Megjithatë, vetë ekzekutivi pranon se kjo rritje e taksave do të refuzohet drejtpërdrejt te çmimi përfundimtar që paguajnë qytetarët në pikat e karburantit.
Në relacionin zyrtar të projektligjit “Për krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e naftës bruto dhe nënprodukteve të saj”, llogaritet se një tarifë prej 3 lekësh për litër do të arkëtojë rreth 3,75 miliardë lekë në vit. Këto të ardhura do të destinohen për blerjen e rezervave të naftës dhe mbulimin e shpenzimeve të ruajtjes e depozitimit.
Megjithatë, shifra prej 3 lekësh mbetet për momentin një nivel i supozuar, pasi vlera përfundimtare do të përcaktohet përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave, pas propozimeve nga ministritë përkatëse. Duke llogaritur se kjo rezervë do të ndërtohet përgjatë një periudhe 5-vjeçare, efekti total financiar i kësaj tarife pritet të arrijë në rreth 200 milionë euro.
“Për të garantuar financimin e rezervave të sigurisë, është parashikuar vendosja e kësaj tarife specifike mbi sasitë e produkteve energjetike hidrokarbure që i nënshtrohen akcizës. Kjo do të sjellë kosto shtesë për sektorin publik dhe një rritje të vlerës në zinxhirin e çmimit final për konsumatorin,” theksohet qartë në relacionin e projektit.
Aktualisht, çmimi i naftës në vend mbetet i ngarkuar me një sërë taksash dhe tarifash, ku përfshihen TVSH-ja, akciza, taksa e qarkullimit, taksa e karbonit, tarifa e skanimit, taksat vendore dhe ajo e rilicensimit. Llogaritet se barra fiskale zë rreth 53% të çmimit final, ose rreth 90 deri në 100 lekë për çdo litër. Krahasuar me vendet e rajonit si Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Kosova – ku mbi çmimin e shumicës aplikohet vetëm akciza dhe TVSH-ja – Shqipëria vijon të mbajë barrën më të lartë fiskale në rajon.
Sipas të dhënave orientuese, volumi i rezervës së sigurisë llogaritet mes 43,6 dhe 49 mijë tonë në vit, duke përfshirë naftën bruto, benzinën, karburantin për avionë dhe gazin e lëngshëm, ndërsa kostot vjetore për krijimin e saj llogariten deri në 42 milionë euro.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: