Sport
Pavarësisht tensioneve në Lindjen e Mesme, Dana White konfirmon: Eventet e UFC-së do të mbahen sipas planit
Reklamë e Sponsorizuar
Përshkallëzimi i situatës gjeopolitike në Lindjen e Mesme ka shtyrë mjaft organizatorë të ngjarjeve ndërkombëtare të rishikojnë agjendat e tyre dhe të vlerësojnë sigurinë për aktivitetet e planifikuara në rajon.
Kjo pasiguri ka ngritur pikëpyetje edhe për ndeshjen e madhe të boksit mes Canelo Alvarez dhe Christian Mbilli, e cila është parashikuar të zhvillohet më 31 tetor në Riad, me zëra që kërkojnë shtyrjen e saj. Megjithatë, për organizatën e arteve marciale mikse UFC, një skenar i tillë nuk ekziston.
Fundjavën e kaluar, Abu Dabim priti me sukses eventin UFC 333. Kalendari vazhdon më 21 nëntor me një tjetër spektakël në Katar, për t'u mbyllur më 5 dhjetor me eventin e radhës në Arabinë Saudite. Drejtori ekzekutiv i UFC-së, Dana White, ka prerë çdo aludim duke konfirmuar se të gjitha këto aktivitete do të ecin përpara sipas planifikimit fillestar.
I pyetur nga gazetarët pas përfundimit të UFC 333 rreth shqetësimeve për sigurinë dhe mesazhit që mund t'u përcjellë sporteve të tjera, White u shpreh i bindur në qëndrueshmërinë e rajonit: “Mund t’ju them se, sa herë kam qenë këtu, nuk jam ndjerë kurrë i pasigurt, e as nuk kam ndjerë se stafi im ishte në rrezik.”
Duke vlerësuar standardet e larta të mikpritjes, ai shtoi: “Gjithçka këtu realizohet në mënyrë tejet profesionale.”
White kujtoi gjithashtu suksesin e kaluar gjatë sfidave globale: “Gjatë periudhës së COVID, ne krijuam të vetmen ‘flluskë’ të vërtetë që ekzistonte në botë.”
“Kur ndjek lajmet, ato janë plot me broçkulla. Sa herë që kam ardhur këtu, kudo në Lindjen e Mesme, kam pasur vetëm përvoja të mira,” u shpreh tutje ai.
Duke folur për vendimet e të tjerëve, ai theksoi: “Unë nuk mund t’u them organizatorëve të eventeve të tjera sportive se çfarë duhet të bëjnë. Kjo është çështje e tyre. Ne shkojmë. Ne ecim përpara. Kur kemi një marrëveshje, një kontratë dhe një datë, ne do të jemi atje.”
Pavarësisht këtij optimizmi nga ana e UFC-së, situata mbetet e tensionuar, pasi rebelët Houthi vijojnë sulmet me dronë, raketa dhe bomba në drejtim të Arabisë Saudite, ku Aeroporti Ndërkombëtar “Mbreti Khalid” është goditur disa herë dhe konsiderohet nga ta si objektiv legjitim ushtarak.
Në anën tjetër, sa i përket përballjes së boksit mes Canelo Alvarez dhe Christian Mbilli, figurë kyçe e menaxhimit të këtij sporti në Arabinë Saudite, Turki Alalshikh, ka bërë të ditur se boksieri me famë botërore nuk frikësohet nga rrethanat dhe se dyluftimi do të bëhet sipas agjendës. Megjithatë, zhvillimet e ditëve në vijim do të jenë përcaktuese për ecurinë e ngjarjeve.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: