Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Politikë

Zvicra propozon gjashtë masa të reja për frenimin e kostove të shëndetësisë

Redaksia Lajmetereja • 26-10-2026 22:41
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Zvicra propozon gjashtë masa të reja për frenimin e kostove të shëndetësisë
Siguruesit shëndetësorë, spitalet dhe autoritetet zvicerane kanë rënë dakord për gjashtë masa të reja që synojnë frenimin e kostove të kujdesit shëndetësor, të cilat pritet të zbatohen deri në vitin 2027. Vendimi u bë i ditur të hënën nga ministrja zvicerane e Shëndetësisë, Elisabeth Baume-Schneider, pas takimit të pestë të tryezës së rrumbullakët, të mbajtur në Bernë. Nisma synon të përballet me rritjen e vazhdueshme të shpenzimeve shëndetësore, në një kohë kur qytetarët zviceranë po përballen edhe me rritjen e primeve të sigurimit shëndetësor, raporton Swissinfo. Gjashtë masa për uljen e shpenzimeve Masat e reja përfshijnë rritjen e transparencës së çmimeve të pajisjeve mjekësore dhe nxitjen e trajtimit ambulator, i cili zakonisht është më pak i kushtueshëm sesa trajtimi me qëndrim në spital. Po ashtu, dy organizata do të vlerësojnë tarifat e shërbimeve ambulatore në shkallë të gjerë dhe përgjatë një periudhe të caktuar. Kjo do t’u mundësojë kantoneve të monitorojnë ndryshimet e çmimeve gjatë kalimit nga trajtimi spitalor në atë ambulator. Ministrja Baume-Schneider i cilësoi këto masa si pragmatike, duke theksuar se ato nuk rrezikojnë sigurinë e pacientëve apo cilësinë e shërbimeve shëndetësore. Sipas Departamentit Federal të Punëve të Brendshme, masat e tjera përfshijnë lehtësimin e ngarkesës në repartet e urgjencës, zhvillimin e programeve të kujdesit për personat me sëmundje kronike, koordinimin e furnizimit me barna për shtëpitë e të moshuarve dhe nxitjen e trajtimeve që mund të kryhen në shtëpi, transmeton Telegrafi. Kursimet ende nuk janë përcaktuar Pjesëmarrësit e takimit janë pajtuar që të gjashtë masat të zbatohen deri në vitin 2027. Disa prej tyre përfshijnë edhe propozime të paraqitura nga qytetarët përmes një platforme elektronike. Megjithatë, ndikimi financiar i masave të reja ende nuk është llogaritur. Përfaqësuesja e kantonit Jura ka vlerësuar se, nëse zbatohen me sukses, ato mund të sjellin kursime më të mëdha sesa ato që ishin parashikuar nga paketa e parë. Në takimet e mëparshme, palët kishin miratuar një paketë prej 12 masash për frenimin e kostove të shëndetësisë. Gjatë diskutimeve të fundit u trajtua edhe çështja e pagave të mjekëve specialistë, por për këtë temë nuk u arrit pajtim mes pjesëmarrësve. Baume-Schneider theksoi se palët vendosën të përqendrohen në fushat ku ekziston konsensus, në vend që të vazhdonin diskutimet pa arritur rezultate konkrete. Ajo rikujtoi se tryeza e rrumbullakët nuk merr vendime detyruese dhe se zbatimi i masave duhet të ndiqet përmes procedurave përkatëse parlamentare.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar