Kronikë
Rasti i Arlinda Zekajt, Kryeprokurori Gashi premton llogaridhënie për secilin zyrtar që ka dështuar
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, ka theksuar se çdo person që ka shfaqur mangësi apo ka bërë lëshime gjatë trajtimit të rastit të Arlinda Zekajt do të përballet me përgjegjësinë institucionale, nëse hetimet konstatojnë shkelje ligjore.
Gjatë një paraqitjeje televizive në emisionin Debat Plus, Gashi bëri të ditur se një koordinator i posaçëm brenda kabinetit të tij ka marrë mandatin për të analizuar dhe skanuar çdo veprim hetimor të ndërmarrë që nga hapat e parë të kësaj çështjeje.
“Secila hallkë që ka dështuar, ka lëshime në aspektin profesional, do të japë llogari për të gjitha lëshimet. Koordinatori që është brenda zyrës tonë është autorizuar që t’i skanojë të gjitha veprimet hetimore, nga fillimi deri në fund. Nga Policia deri te shërbimet e tjera sociale”, u shpreh Gashi gjatë intervistës.
Më tej, kreu i Prokurorisë së Shtetit paralajmëroi se brenda pak ditësh, konkretisht të mërkurën ose të enjten, institucioni që ai drejton do të dalë me një qëndrim zyrtar lidhur me hapat konkretë që do të ndërmerren ndaj personave të inkriminuar, nëse vërtetohen mangësi në procedura.
“Brenda disa ditëve, nesër ose pasnesër, do të dalim me një deklaratë sa i përket veprimeve që do t’i ndërmarrim për personat përgjegjës, nëse ka lëshime eventuale”, shtoi ai.
Duke u ndalur te pasojat e mundshme për fajtorët, Gashi garantoi se masat nuk do të kufizohen vetëm në aspektin disiplinor apo shkarkime nga detyra, por do të shtrihen edhe në përgjegjësinë penale nëse dalin në pah elemente të veprave penale.
“Nuk mund të them deklarata dhe të paragjykoj situata… jo vetëm sa i përket shkarkimin që është në aspektin disiplinor. Por edhe nëse ka elemente të dyshimit për ndonjë lëshim eventual të karakterin penal, personat do të jenë përgjegjës para ligjit. Këtë e garantoj para gjithë qytetarëve të Kosovës”, përfundoi kryeprokurori Gashi.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: