Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Sport

Kushtet e vështira dhe problemet e shumta: Studentët adresojnë mbi 700 ankesa për standardin e tyre

Redaksia Lajmetereja • 26-10-2026 19:22
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Kushtet e vështira dhe problemet e shumta: Studentët adresojnë mbi 700 ankesa për standardin e tyre
Përballja me inflacionin që nuk përputhet me subvencionin për vaktin ditor, ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike dhe ujit në konvikte, vonesat në shpërndarjen e bursave, shtrenjtimi i transportit ndërurban dhe parregullsitë gjatë procesit të provimeve përbëjnë vetëm një pjesë të vështirësive me të cilat ndeshen të rinjtë në vend. Gjatë një periudhe gjashtëmujore, nëpërmjet platformës së pavarur studentore “Studentaria”, janë regjistruar mbi 700 raportime, ndërkohë që më shumë se 1.200 studentë të tjerë kanë dhënë votën e lor për shqetësimet e ngritura. Sipas Ana Shopovskës nga platforma studentore “Studentaria”, standardi i studentëve përfshin domosdoshmërinë e informimit në kohë dhe të një komunikimi funksional me institucionet përgjegjëse. “Standardi studentor nuk është vetëm pyetje për shumën e subvencionimit të bursave, subvencionimin e shujtës studentore, apo kushtet në dhomat e studentëve, por se a i merr studenti informacionet që duhet në kohë se për çfarë është notuar me atë notë, se a ka ku të drejtohet kur mendon se iu kanë thyer të drejtat, dhe se sa institucionet do t’u përgjigjen me kohë”, deklaroi Ana Shopovska nga Platforma Studentore “Studentaria”. Ndonëse shuma për vaktin e studentëve llogaritet në 140 denarë në ditë, ajo ka mbetur e pandryshuar që nga viti 2023, pavarësisht se ligji parasheh përshtatjen e saj sipas normës së inflacionit, theksoi Goshe Nikollov nga e njëjta platformë. Ai shtoi se një sfidë tjetër është edhe humbja e së drejtës për vaktin e subvencionuar për shkak se fakultetet vonojnë dërgimin e të dhënave në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASh). “Studentët marrin të njëjtën mbështetje nga shteti, por atë që mund ta blinin me këto para në vitin 2023, sot mund vetëm ta ëndërrojnë. Ata nuk kërkojnë asgjë më shumë sesa respektimin e ligjit”, theksoi anëtari i Platformës Studentore “Studentaria”, Goshe Nikollov. Nga ana e tij, Aleksandar Nikollovski, anëtar i platformës studentore “Studentaria”, vlerësoi se sfidë më vete mbetet transporti publik dhe ngritja e tarifave të udhëtimit ndërurban. “Siç Qeveria vendosi rregullën që studentët në Shkup të kenë transport publik urban falas, kjo duhet t’u mundësohet edhe studentëve nga vendet tjera, sepse kjo është diskriminuese për ta. Studentët në Ohër, Prilep dhe Tetovë nuk e kanë këtë të drejtë”, u shpreh anëtari i Platformës Studentore “Studentaria”, Aleksandar Nikollovski. Kjo nismë digjitale u ka krijuar mundësinë të rinjve që t'i bëjnë publike sfidat e tyre. Rekomandimi kryesor që del nga ky proces është që organet kompetente të ndërmarrin hapa konkretë, të përmirësojnë procedurat ekzistuese dhe të japin llogari në mënyrë transparente për zgjidhjen e shqetësimeve të ngritura.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar