Kronikë
Hetim ndaj Policisë së Shtetit: Prokuroria zbardh dhunën në protestë, Erjon Vishkulli po kurohet në Itali
Reklamë e Sponsorizuar
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka nisur procedurat hetimore lidhur me lëndimin e rëndë në sy të 28-vjeçarit Erjon Vishkulli gjatë protestës së fundit. Për shkak të natyrës së dëmtimeve, i riu është transferuar për trajtim mjekësor të specializuar në Itali.
Në fokus të hetimeve nuk është vetëm rasti i Vishkullit, por edhe pretendimet për përdorim të tepruar dhe joproporcional të forcës nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit ndaj disa protestuesve të tjerë. Organi i akuzës bën të ditur se deri më tani janë administruar rreth 20 dosje mjekësore të shtetasve që kanë kërkuar ndihmë pas përplasjeve.
Lidhur me ngjarjen e datës 24 tetor 2026, janë ndërmarrë veprime konkrete hetimore, përfshirë sekuestrimin e pamjeve filmike të siguruara nga Banka e Shqipërisë, si dhe marrjen e dokumentacionit mjekësor nga Spitali Universitar i Traumës. Këto hetime po kryhen në koordinim të ngushtë me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Aktualisht, autoritetet shqiptare po përgatisin procedurat për dërgimin e një letërporosie drejt autoriteteve italiane, me qëllim sigurimin e dëshmisë dhe dokumentacionit mjekësor të të dëmtuarit Vishkulli.
Prokuroria thekson se po punohet intensivisht për të sqaruar të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe për të dokumentuar ligjërisht çdo shkelje të mundshme. Paralelisht me rastin në fjalë, po vijojnë verifikimet për të gjitha denoncimet e tjera të qytetarëve për dhunë policore, gjithnjë nën mbikëqyrjen e AMP-së.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: