Kronikë
Analizë: Pse nismat e fundit ligjore për Gjykatën Speciale janë të pazbatueshme nga aspekti juridik?
Reklamë e Sponsorizuar
Në kuadër të analizave tona të mëparshme mbi ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara, shtrohet një pyetje kyçe: a do të mund të gjejnë zbatim këto nisma, pavarësisht euforisë së shfaqur nga koalicioni PAN dhe OVL-UÇK? Këto lëvizje shpesh duken më shumë si përfitime politike sesa si një përpjekje e sinqertë për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë. Për më keq, ky hap rrezikon të përfshijë edhe institucionet shtetërore të Kosovës në një situatë të rrezikshme, e cila mund të cilësohet nga faktori ndërkombëtar dhe Gjykata Speciale si ndërhyrje e drejtpërdrejtë në drejtësi.
Në këtë kontekst, lind pyetja e drejtë: a mund të vihen në jetë ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë Speciale të miratuara nga Kuvendi i Kosovës më 6 tetor? Nga aspekti juridik, përgjigjja është negative. Kjo ndodh sepse Dhomat e Specializuara nuk janë krijuar vetëm përmes një ligji të vetëm, por përbëjnë produktin e një sërë nismash dhe zhvillimesh komplekse juridike.
Së pari, këtij procesi i ka paraprirë korrespondenca ndërmjet Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Catherine Ashton, dhe ish-Presidentes Atifete Jahjaga. Këto shkëmbime u shndërruan në Marrëveshje Ndërkombëtare, e cila u ratifikua në Kuvendin e Kosovës në vitin 2014 dhe mori fuqinë e ligjit.
Së dyti, në vitin 2015, Kuvendi i Kosovës ndryshoi Kushtetutën dhe përmes nenit 162 rregulloi organizimin, funksionimin dhe juridiksionin, duke krijuar kështu bazën themelore kushtetuese për themelimin e Dhomave të Specializuara.
Së treti, për sa i përket Gjykatës Speciale me seli në Hagë, ekziston një Marrëveshje Ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Holandës, e cila prodhon detyrime të ndërsjella dhe nuk mund të shkëputet në mënyrë të njëanshme.
Është plotësisht e logjikshme se ligji i miratuar nga Kuvendi më 6 tetor nuk mund të jetësohet, pasi bie në kundërshtim flagrant me nenin 162 të Kushtetutës së Kosovës dhe me detyrimet që vendi ynë ka marrë ndaj Bashkimit Evropian. Neni 162 i delegon ekskluzivisht dhe në mënyrë eksplicite të gjitha kompetencat për funksionimin e kësaj gjykate Dhomave të Specializuara. Kjo do të thotë se çdo ndërhyrje në rregullativën normative dhe në ligjin e Dhomave të Specializuara i nënshtrohet vlerësimit të kushtetutshmërisë, i cili bëhet ekskluzivisht dhe pa përjashtim nga Dhoma e Veçantë e Gjykatës Kushtetuese me seli në Hagë – e cila, sipas bindjes sonë, do ta shpallë këtë ligj si jokushtetues.
Përfaqësuesit e PAN-it dhe OVL-UÇK-së e kritikojnë punën e Gjykatës Speciale pa ofruar ndonjë argument kritik të bazuar, duke ndërhyrë sistematikisht në administrimin e drejtësisë që nga fillimi i procesit. Vlen të theksohet se Gjykata Speciale funksionon mbi bazën e ligjeve të Kosovës, ndodhet nën juridiksionin e vendit dhe nuk i ka grabitur kompetencat sistemit vendor të drejtësisë. Për shkak të kësaj, Gjykata Speciale është e detyruar të respektojë dhe zbatojë në praktikë nenin 162 të Kushtetutës (miratuar më 2015), Marrëveshjen Ndërkombëtare me BE-në (ratifikuar më 2014), Ligjin mbi Gjykatën Speciale (miratuar më 2015), si dhe Marrëveshjen Ndërkombëtare me Holandën. Këto akte nuk janë hartuar apo miratuar nga Gjykata Speciale, por ajo detyrohet t'i zbatojë ato pikërisht për shkak të vendimeve të marra nga vetë politikanët.
Në vend që të protestojnë dhe kritikojnë pa kriter, kritikët aktualë do të duhet të drejtonin pakënaqësinë e tyre ndaj atyre politikanëve që e sollën Kosovën në këtë situatë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: