Aktuale
Pasojat tragjike të plumbave të gomës, eksperti i sigurisë tregon protokollet e rrepta dhe distancën e lejueshme të qitjes
Reklamë e Sponsorizuar
Përdorimi i plumbave të gomës nga ana e strukturave policore kërkon zbatimin e rreptë të rregullave dhe protokolleve të sigurisë, të cilat ndalojnë kategorikisht shënjestrimin e kokës apo zonave të sipërme të trupit. Sipas ekspertit të sigurisë, Fatjon Softa, shkarkimi i këtyre municioneve në distanca të shkurtra mbart rreziqe madhore, duke shkaktuar dëmtime të rënda kockore dhe deri në humbje të përhershme të shikimit.
Këto deklarata u bënë këtë të diel gjatë një paraqitjeje televizive në emisionin “Review” me moderatoren Greta Topjana, në një periudhë kur opinioni publik është përfshirë nga debati rreth plagosjes në sy të 28-vjeçarit Erjon Vishkulli gjatë një proteste.
Softa sqaroi se municionet e tilla nuk duhet të përdoren kurrë si masë e parë, por vetëm si zgjidhje e fundit. "Ata përdoren vetëm në rastet kur mjetet e tjera të neutralizimit, kur rrezikohet jeta e punonjësve të policisë, nuk kanë dhënë efekt," u shpreh ai.
Eksperti vuri inkurajoi faktin se distanca minimale e lejueshme e qitjes nuk duhet të jetë më e vogël se 20 metra, ndërsa trajektorja e goditjes duhet të orientohet gjithmonë nga beli e poshtë. "Duhet të goditet nga beli dhe poshtë, pra në gjymtyrët e poshtme. Jo lart! Jo, absolutisht lart! Është e ndaluar, sepse ka pasoja dhe në veçanti kur ajo përdoret në distanca të afërta," theksoi Softa.
Duke iu referuar forcës goditëse, ai paralajmëroi se pavarësisht materialit prej gome, dëmi fizik mund të jetë i ngjashëm me municionet e vërteta. "Vërtet themi që përbërja nuk është plumb, por është elementi gomë, por forca kinetike e saj kryen të njëjtat efekte," shtoi ai, duke kujtuar rastin e të riut që po lufton për të shpëtuar shikimin e tij pas një goditjeje të drejtpërdrejtë në sy.
Në lidhje me ndërhyrjet brenda turmave, eksperti nënvizoi se ky veprim përbën një rrezik të lartë dhe çdo shkelje e protokollit shoqërohet me përgjegjësi ligjore për efektivët. "Qitja e tyre në turmë, edhe pse mund të ketë trajnime, është e rrezikshme dhe ajo do të jetë e monitoruar. Personi mban përgjegjësi ligjore për mosrespektim të protokollit të përdorimit të tyre," deklaroi ai.
Në rrethana të caktuara, pasojat mund të rezultojnë fatale. "Efekti i saj është edhe vdekjeprurës, varet ku godet dhe në ç’formë godet. Mund të japë pasoja të rënda, duke filluar nga humbja e shikimit deri te goditjet në kokë. Forca e tyre kinetike është aq e madhe saqë edhe kockat mund t’i dëmtojë," paralajmëroi Softa.
Në fund, ai bëri thirrje që çdo incident që rezulton me lëndime të kalojë në sitën e hetimeve të thelluara nga institucionet kompetente, përfshirë Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe organin e akuzës. "Të gjitha rastet e përdorimit të saj kërkojnë hetim," përfundoi ai, duke paralajmëruar se shkeljet mund të përkthehen në përgjegjësi penale dhe dënime me burg për personat përgjegjës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: