Sport
Spektakël në Superligë: Vllaznia përmbys Besëlidhjen, Teuta e Partizani nuk falin
Reklamë e Sponsorizuar
Kampionati kombëtar i basketbollit për meshkuj ka mbyllur ndeshjet e javës së tretë, e cila solli emocione të mëdha, surpriza dhe sfida të vendosura në sekondat e fundit. Në kryendeshjen e kësaj jave zhvilluar në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, Vllaznia ka arritur një triumf spektakolar me përmbysje ndaj kampionëve në fuqi të Besëlidhjes me rezultatin e ngushtë 84-82, duke i shkaktuar kështu lezhjanëve humbjen e parë për këtë edicion.
Pjesa e parë foli plotësisht për Besëlidhjen, e cila krijoi një epërsi të ndjeshme duke mbyllur fraksionin e parë të lojës me shifrat 51-34. Megjithatë, shkodranët reaguan furishëm në 20 minutat e dyta, duke përmbysur disavantazhin dhe siguruar fitoren në sekondat e fundit të sfidës, falë paraqitjes fantastike të Mogbo, i cili e mbylli takimin me 20 pikë dhe 11 “rebound”.
Në takimet e tjera, Teuta ka vuajtur jo pak, por ka arritur të ruajë ecurinë e fitoreve duke mposhtur në parketin e saj Skënderbeun me shifrat 80-72, në një përballje të luftuar deri në sekondat e fundit. Hubbart me 22 pikë ishte pika e referimit për durrsakët e pamposhtur deri më tani, ndërsa 23 pikët e realizuara nga Carter shërbyen vetëm për statistikë në kampin korçar.
Një ndeshje tepër e fortë dhe dramatike u zhvillua në Vlorë, ku Partizani u është dashur të kalojë përmes kohës shtesë për të mposhtur Flamurtarin 103-95, duke regjistruar kështu suksesin e parë sezonal. Edhe pse Engels realizoi 33 pikë për vlonjatët ato nuk mjaftuan për triumf, pasi te kryeqytetasit shkëlqeu Mejia, i cili ishte lider i pakontestueshëm në fushë me 41 pikë të shënuara.
Surpriza e kësaj jave është regjistruar në Fier, ku Kamza Basket ka triumfuar me shifrat 77-74 ndaj Apolonisë, në një ndeshje tejet të ekuilibruar nga fillimi deri në fund. Dyshja e formuar nga Hancik dhe Morammed udhëhoqi kamzalinjtë drejt fitores me 43 pikë të kombinuara, duke fituar duelin e distancës me dyshen Thames-Davis, të cilët kontribuan me 45 pikë për fierakët.
Ndërkohë, Tirana duket se ka lënë pas krizën e rezultateve, duke korrur fitoren e parë të këtij sezoni pas një paraqitjeje bindëse ndaj Pogradecit, të cilin e mposhti me rezultatin e thellë 110-65. Në takimin e luajtur në “Fahri Hoti”, skuadra bardheblu u shkëput qysh në periodën e parë dhe e administroi avantazhin deri në fund, me Kok që bëri diferencën në parket duke shënuar 24 pikë.
Rezultatet e javës së 3-të në Superligën e Meshkujve:
Flamurtari – Partizani, 95-103
Apolonia – Kamza Basket, 74-77
Tirana – Pogradeci, 110-65
Besëlidhja – Vllaznia, 82-84
Renditja aktuale e kampionatit pas tri javëve të para:
Vllaznia 6 pikë, Teuta 6 pikë, Besëlidhja 5 pikë, Kamza Basket 4 pikë, Partizani 4 pikë, Skënderbeu 4 pikë, Tirana 4 pikë, Pogradeci 4 pikë, Elbasani 3 pikë, Flamurtari 3 pikë, Apolonia 3 pikë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: