Sport
Bayern Munich merr tri pikë të arta në Freiburg dhe ruan kreun e Bundesligës
Reklamë e Sponsorizuar
Bayern Munichu ka vazhduar serinë e rezultateve pozitive, duke triumfuar si mysafir me rezultat 3-1 ndaj Freiburgut, në kuadër të xhiros së shtatë të kampionatit gjerman, Bundesligës.
Gjiganti bavarez e nisi takimin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke marrë kontrollin e lojës dhe duke kaluar në avantazh qysh në minutën e 16-të. Ishte mbrojtësi Dayot Upamecano ai që zhbllokoi shifrat për 0-1.
Formacioni mysafir e thelloi epërsinë pak para përfundimit të pjesës së parë, saktësisht në minutën e 42-të. Serge Gnabry përfitoi nga një asistim i shkëlqyer, u shfaq i pambrojtur përballë portierit kundërshtar dhe shënoi për 0-2.
Kur duelit po i vinte fundi, vendasit arritën të ngushtonin diferencën në 1-2 në minutën e 82-të, por në rrethana tejet fatkeqe për bavarezët. Tom Bischof shënoi një autogol, duke i rikthyer shpresat e Freiburgut për të nxjerrë një rezultat pozitiv nga ky takim.
Pak çaste më vonë, saktësisht në minutën e 88-të, Bayerni dërgoi sërish topin në rrjetë, mirëpo ky gol u anulua nga gjyqtari për pozicion jashtë loje.
Ndërkohë që Freiburgu ishte hedhur në sulm për të kërkuar golin e barazimit, Michael Olise vulosi përfundimisht triumfin e bavarezëve në minutën e pestë shtesë (90+5'). Pas një gabimi në pasim nga ana e portierit vendas, futbollisti francez interceptoi topin dhe me një goditje të menjëhershme nga distanca mesatare vendosi rezultatin përfundimtar 1-3.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: