Sport
Kthehet El Clasico e Mourinhos: Përplasjet legjendare me Barçën, tensionet me Guardiolën dhe nata e fundit në Camp Nou pas 13 vitesh
Reklamë e Sponsorizuar
“Rikthimi në El Clásico?” Me këtë pyetje u përball José Mourinho nga gazetarët gjatë një konference për shtyp, duke folur mbi këtë sfidë magjike që tërheq vëmendjen e mbarë globit.
“Janë të paktën dy në sezon, nuk ka rëndësi kush është trajner. E rëndësishme është përmasa botërore e El Clásicos. Ka edhe ndeshje të tjera të rëndësishme në botë, por kjo është El Clásico unike, bota ndalet”, u shpreh strategu portugez.
Edhe pse u mundua të ulte peshën personale të këtij dueli, Mourinho është plotësisht i vetëdijshëm se sa shumë vlen një përballje e tillë për një trajner të Real Madridit, për mbështetjen e tifozëve dhe për trashëgiminë e tij në histori.
Periudha e parë e Mourinhos në stolat e “Los Blancos” u karakterizua nga sfida ekstreme që lanë gjurmë të pashlyeshme në karrierën e tij, duke prodhuar emocione nga më të ndryshmet.
Ai e nisi aventurën me një humbje të rëndë 5-0 në Camp Nou. Më pas, ai ndryshoi qasjen taktike duke kaluar Pepen në mesfushë, gjatë maratonës së famshme me katër ndeshje brenda vetëm 18 ditësh mes prillit dhe majit 2011.
Në atë kohë, portugezi u përfshi edhe në një episod të errët kur qëlloi me gisht në sy Tito Vilanovën gjatë një tensioni të madh në fushë.
Në ato vite, ai kishte sfidën e madhe për të ndalur njërën ndër skuadrat më të frikshme të Barcelonës në histori, një rivalitet që u zhvendos nga fusha e blertë te sallat e konferencave.
Duelet verbale mes Mourinhos dhe Pep Guardiolës dhuruan spektakël të garantuar, derisa vetë trajneri katalunas pranoi superioritetin e rivalit jashtë fushës, duke e quajtur “shefi i madh”.
Në harkun e tri sezoneve, portugezi drejtoi madrilenët në 17 ndeshje kundër katalunasve, duke regjistruar pesë fitore, gjashtë barazime dhe gjashtë humbje.
Paraqitja e fundit e Mourinhos si trajner i Realit në Camp Nou daton më 26 shkurt 2013, mbi 13 vite më parë, kur madrilenët triumfuan 1-3 dhe siguruan biletën për finalen e Kupës së Mbretit, të cilën më pas e humbën ndaj Atletico Madridit në Santiago Bernabéu.
Pas disfatës 5-0 në nëntor 2010, ky rivalitet kaloi në një dimension tjetër tensionesh, ku shkëndijat nuk munguan asnjëherë mes dy superfuqive të futbollit spanjoll.
Seria e katër ndeshjeve brenda 18 ditëve – që përfshinte La Ligën, finalen e Kupës së Mbretit dhe gjysmëfinalet e Champions League – mbetet e gdhendur në historinë e përplasjeve direkte.
La Liga | Real Madrid 1-1 Barcelona (16 prill 2011)
Fushata e zjarrtë e El Clásicos nisi pikërisht më 16 prill 2011 në kampionat, ku Real Madridi kërkonte të shpaguante humbjen e rëndë të fazës së parë.
Madrilenët e nisën këtë takim me shanse minimale për titull, duke qenë tetë pikë pas katalunasve dhe 16 pikë para Valencias që mbante vendin e tretë.
Pavarësisht distancës në tabelë, në lojë nuk ishte vetëm kampionati, por prestigji dhe krenaria e dy fanellave legjendare.
Ndeshja u mbyll në barazim 1-1, ku dy yjet e mëdhenj, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo, realizuan nga pika e bardhë e penalltisë.
Kjo përballje i shërbeu Mourinhos si provë gjenerale për të skicuar planin e tij taktik për finalen e madhe të Kupës së Mbretit që do të pasonte.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: